Bahtiri: Nuk ka shqiptar që nuk e do bashkimin e Luginës me Kosovën
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se nuk ka shqiptar i cili nuk do të donte që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.
Ai ka thënë se në marrëveshjen që pritet të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë, komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc mund t’i bashkëngjiten Kosovës, nëse këtë e përkrahë Bashkimi Evropian, njofton Klan Kosova.
“Nuk e di që ka ndonjë shqiptar dhe nuk e dëshiron që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të jenë në kuadër të Kosovës. Nuk e di që ka një. Padrejtësitë që ju kanë bërë popullit shqiptar është për t’i ardh keq edhe Bashkësisë Ndërkombëtare në atë kohë, sepse dihet ku ka qenë territori. Kemi territori edhe më larg se Lugina”, ka thënë Bahtiri në Info Magazine.
“Çdo shqiptar e di që çfarë është të jesh nën thundrat e Serbisë. Jam për ta bashkuar këtë pjesë të Kosovës, padrejtësisht e ndarë. Më kanë pyetur gazetarët serbe se a do të bëhet shkëmbimi mes veriut dhe Luginës dhe u pata përgjigjur shkurt se nuk kemi cfarë të ndryshojmë sepse të dyja janë tokë shqiptare”.
“Nëse përkrahet edhe nga BE edhe Lugina do t’i bashkohet Kosovës”, ka shtuar ai.