Arsim Halili promovon librin “Mëkatar mos eja”
Për vëllimin poetik të Arsim Halilit kanë folur Faik Shkodra dhe recensentët Nexhat Rexha e Bilall Maliqi, ndërsa nuk munguan as deklamimet e poezive nga ky vëllim poetik.
Libri më i ri i Arsim Halilit “Mëkatar mos eja” është promovuar në kuadër të manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, botim i Shtëpisë Botuese ‘Beqir Musliu”, raporton rajonipress.
Për këtë vëllim poetik kanë folur dr Faik Shkodra dhe recensentët Nexhat Rexha e Bilall Maliqi, ndërsa nuk munguan as deklamimet e poezive nga ky vëllim poetik.
Faik Shkodra ka thënë ndër tjerash se vargjet e poezive në këtë vepër kanë shpalosur intuitën krijuese të poetit , në to gjejmë të shprehur shpirtin dhe zemrën e poetit. Shkodra tha se autori shprehjet artistike i ka ngjyrosur me shprehjet poetike.
Edhe Nexhat Rexha ka thënë se Arsim Halili në këtë vëllim poetik vjen me harmonizim e konsolidim të vargut dhe atij i jep kolorit dhe imazh të përforcuar artistik
Ai tha se poezia e Arsimit komunikon e ndërlidh të dukshëm e të padukshëm hije, që ruan në vete pafajësinë e njeriut të tij.
Ndërsa, recensenti tjetër Bilall Maliqi ka thënë se poeti Arsim Halili vjen para lexuesve me frymëzime të reja motivuese të cilat i ka shtrirë nëpër tërë këtë vëllim poetik.
Ai tha se libri poetik “Mëkatar mos eja” përbëhet me disa poezi të cilat shtrirjen e tyre e kanë në një gamë të ndryshme motivuese.
Sipas Maliqit, Arsimi ka dhënë kontributin e tij në rrafshin poetik sidomos në këtë libër duke dhënë një përkushtim poetik si në poezitë e dedikuara personazheve të tij poetik por edhe në aspektin e dashurisë.
Arsim Halili me këtë vepër ka treguar se mund të gjurmoj vlera, të ecë ngadalë nëpër shkallët e sukseseve të poezive të tij, ka thënë recensenti Bilall Maliqi.
Autori i librit “Mëkatar mos eja”, Arsim Halili ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan për t’u rrumbullakuar puna rreth këtij vëllimi poetik ndërsa ka premtuar se do të vazhdojë me punën e tij krijuese./Titulli.com/