Arifi: Qeverisja aktuale “pushteti i tepsisë”, Salihu e rëndë ata që pushtetin e shohin gjithçka
Nagip Arifi, kryetari i Partisë Demokratike është shprehur në një intervistë për Titulli.com se qeverisja aktuale në Bujanoc mund të konsiderohet si "Pushteti i tepsisë".
“Qeverisja aktuale "Për shqiptarët me Stojançën", pos që mund të konsiderohet si "Pushteti i tepsisë",siç thotë një këshilltarë i PD-së, ku pitja e kësaj tepsie ndahet dhe fragmentarizohet në disa pjesë, proporcionalisht takatit, nuk mund të krenohet në ndonjë sukses por mund të konsiderohet si periudha më e dobët në 20 vjetshin e fundit në Bujanoc”, ka thënë Arifi.
Ai duke folur për investimet ka deklaruar për Titulli.com se akoma nuk janë duke u marrë me investimet kapitale të filluara gjatë qeverisjes së kaluar si Transfer stacioni i mbeturinave, rruga Muhoc-Zarbincë, shtrati i lumit në Tërnoc.
“Nëse konsiderohet sukses asfaltimi i rrugicave, sokaqeve ka 100-200 metra katror dhe para dyerve të simpatizuesve partiak e kur kujtojmë britjet e Shaip Kamberit në sheshin "Skendërbeu" që në fakt ende quhet Karagjorgje Petroviq, se asfalti nuk hahet, e tash shkon i lutë njerëzit për t’i asfaltuar hyrjet para shtëpive të tyre”, theksoi Arifi.
Lidhur me këto deklarata të Arifit ka reaguar shefi i kabinetit të kryetarit ë komunës së Bujanocit, Rahim Salihu i cili është shprehur se pajtohet me deklaratën e tij.
“Për të me siguri që është pushteti më i keq në 20 vitet e fundit, sepse është hera e parë për 20 vite që ai është në opozitë. Opozita është e rëndë për ata që pushtetin e shohin gjithçka”, ka shkruar Salihu./Titulli.com/
Lexo intervistën e plotë: Arifi: Partia Demokratike bartëse e qeverisjes së ardhshme, ky pushtet po vetëfundoset