Arifi: Përkrahim unifikimin rreth listës së bashkuar të Luginës (deklarata e plotë)
Kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi përmes një deklarate drejtuar qytetarëve ka shprehur qëndrimin e kryesisë së subjektit të tij politik për t’iu bashkuar listës së bashkuar të Luginës për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Kjo është deklarata e tij e plotë:
Pas iniciativës dhe angazhimit nga ana e shtetit amë për dalje në zgjedhjet parlamentare dhe unifikimin e faktorit politik shqiptarë në një listë të përbashkët, Partia Demokratike në mbledhjen e fundit të kryesisë ka marrë vendim ta përkrahë iniciativën e shtetit amë dhe të jetë pjesë e listës së përbashkët për këto zgjedhje.
Edhe në të kaluarën Luginën e Preshevës e kanë përfaqësuar deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë e që asnjëherë nuk kanë arritur që ta përmirësojnë gjendjen e shqiptarëve dhe ta ndalojnë diskriminimin e shtetit Serb ndaj shqiptarëve ,por ne kësaj radhe kemi vendosur ta respektojmë vendimin e shtetit amë dhe mbështetjen e presidentit të Republikës së Kosovës duke mbetur me shpresë se ky unifikim do të jetë i mbikëqyrur nga ana e tyre.
Partia Demokratike qysh nga viti 2012 ka shtrirë dorën e bashkimit dhe bashkëpunimit dhe si primare ka pasur unifikimin e faktorit politik shqiptarë në Bujanoc, por atëherë kur dolëm partia e parë fituese bashkëpunimi me ne u refuzua nga pala tjetër për interesa të ngushta personale e klanore.
Gjithashtu dua të ritheksoj se edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2016 kur dolëm si partia e dytë kundrejt koalicionit të dy partive tjera shqiptare ne përsëri e shtrim dorën e bashkimit dhe bashkëpunimit por ndodhi ajo që sot po e përjeton gjithsecili.
Pra bashkëpunimi ndër shqiptarë gjithmonë ka qenë i mirëseardhur nga ana e Partisë Demokratike, por për fat të keq në këtë aspekt kemi pasur sulme e linçime të ndryshme .
Për hir të unitetit të shqiptarëve, ne sot përsëri shtrim dorën e bashkimit dhe bashkëpunimit.
Na priftë e mbara dhe shpresojmë të mos të përsëritet e kaluara e hidhur.
Faleminderit Shqipëri