Lokale
Arifi kërkon nga Beqaj heqjen e policave të sigurimit për Luginën
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe Luginë të Preshevës me theks të veçantë zhvillimet ekonomike.
Takimi Beqaj-Arifi u zhvillua pas pjesëmarrjes në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2013”, që u hap sot në qendrën industrial Prishtinë-Fushë Kosovë në organizim të Odës Ekonomike të Kosovës, e ku po marrin pjesë biznese të ndryshme nga vendi dhe më gjerë.
Me këtë rast kreu i Komunës së Bujanocit e njoftoi ministrin Beqaj për problemin e taksave në pikat kufitare, të cilat sipas tij, po i ngarkojnë financiarisht qytetarët e Luginës së Preshevës, ndërsa kërkoi që Qeveria e Kosovës ta shqyrtojë këtë problem, raporton RTK.
Ministri Beqaj ka informuar kryetarin Arifi me zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë dhe projektet që janë duke u zhvilluar, ndërsa ka vënë në dukje interesimin e Qeverisë për forcimin e sektorit privat dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik me vendet fqinje.
Arifi ka shfrytëzuar këtë takim për të ftuar ministrin Beqaj që të marrë pjesë në Panairin e Bujanocit, i cili do të mbahet me 27 maj në këtë komunë.
Nga ana e tij, ministri Beqaj ka premtuar se do të angazhohet që të gjitha asociacionet e biznesit në Kosovë të marrin pjesë dhe të kenë përfaqësuesit e vet në këtë panair./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!