Arifi: Fondi Kombëtar për Luginën e Preshevës ka mbetur veç në letër, Kosova dhe Shqipërisë të bëjnë më tepër
Më 2 tetor të vitit 2020 ishte nënshkruar Fondi kombëtar për Luginën e Preshevës, nga atëkohë ministri i Jashtëm i Shqipëris Genc Cakaj dhe asaj të Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla.
Kjo marrëveshje parashihte të hapte rrugë për krijimin e fondit ndërshtetëror për mbështetje financiare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por gjithçka deri tani ka mbetur veç në letër.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net” thotë se Fondi i nënshkruar nga dy qeveritë ka mbetur në letër, dhe në çdo takim që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe tani kryeministrin Albin Kurti, e ka parashtruar pyetjen për jetësimin e këtij Fondi, por se nuk ka marrë përgjigje. Megjithatë kryetari Arifi shpreson se ky Fond të fillojë së funksionuari.
Arifi më tej thotë se qeveria e Kosovës, e sidomos ajo e Shqipërisë kanë mundësi të bëjnë më shumë për shqiptarët e Luginës, ndërsa tregon me problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje.
Arifi në intervistën për Reporterin flet edhe për pritjet që ka nga dialogu Kosovë-Serbi, konkretisht nga takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçit, për gjendjen në arsim, infrastrukturë dhe ekonomi në Bujanoc dhe çështje të tjera
Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën me krytarin e Bujanocit, Nagip Arifi, dhënë për Gazetën Online “Reporterinet”
Tash një vit keni marrë detyrën e kryetarit të Bujanocit. Na përmend tre problemet më të mëdha që keni zgjidhur?
Arifi: Në Bujanoc ekzistojnë 5 parti politike shqiptare aktive, të cilat edhe pse kanë ndikuar në zhvillimin e pluralizmit, në anën tjetër kanë ndikuar edhe në përçarjen e elektoratit, gjë që ka paraqitur një problem serioz për një komunë të vogël si Bujanoci. Dhe, prioriteti im ka qenë që pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2021 të bëjë një koalicion me shumicë shqiptare në Bujanoc, që vendimet kruciale për Bujanocit t’i marrin vet shqiptarët. Dhe, sot për herë të parë Bujanocin e qeverisin partitë politike shqiptare. Me një fjalë, kam bërë unifikimin e faktorit politik shqiptar në Bujanoc, që nuk është rast në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Si çështje të dytë do ta konsideroja menaxhimin me pandeminë Covid 19. Mendoj se kemi arritur që ta bëjmë senzibilizimin e opinionit rreth rrezikut të përhapjes së kësaj pandemie dhe vakcinimin e qytetarëve, të cilët në fillim kanë qenë të hamendur nëse duhet apo jo të vakcinohen. Tash një numër i madh i qytetarëve të komunës së Bujanocit kanë marrë vaksinat. Kemi arritur që ta shmangim një katastrofë epidemiologjike, ku unë si kryetar komune dhe njëherit sipas funksionit edhe komandant i Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme me të gjitha mjetet që kemi disponuar, kemi ndihmuar Shtëpinë e Shëndetit që në këto kohë të vështira të jemi sa më afër qytetarëve. Të gjitha llojet e vaksinave kanë qenë në dispozicion në Shtëpinë e Shëndetit, si dhe logjistika s’ka munguar. Kështu që, sot mbi 70% e popullatës në komunën tonë ka marrë edhe dozën e dytë, ku na dëshmon fakti se këtë muaj kemi pasur vetëm një të infektuar. Menaxhimi me pandeminë për mua si kryetar ka qenë një prioritet, sepse për mua shëndeti i qytetarëve ka qenë mbi të gjitha.
Me marrjen e postit të kryetarit, përveç problemit të pandemisë, kam hasur edhe në shumë probleme financiare në vetqeverisjen lokale. Komuna e Bujanocit ka qenë në obligime të mëdha dhe bllokadë financiare. Sot, me një menaxhim të mirë të financave kemi një gjendje stabile financiare, ku të gjitha obligimet ndaj kontraktuesve, obligimet ndaj shkollave fillore dhe të mesme, ndaj organizatave publike dhe veprimtarive shoqërore kryhen në afat të rregulltë. Pra, kam sjellur rend dhe rregullë në aspektin financiar.
Si është gjendja me arsimin, infrastrukturën, ekonominë aktualisht në Bujanoc?
Arifi: Sa i përket gjendjes në arsim, në aspketin e përgatitjes infrastrukturore dhe kushteve tjera përcjellëse nëpër shkolla për t’u zhvilluar procesi arsimor, lirisht mund të them se është në nivel të duhur. Por, ajo që është brengosëse është se nxënësit shqiptarë nuk kanë tekste të duhura të zhvillohet procesi arsimor në gjuhën shqipe, sepse shteti serb nuk lejon tekstet mësimore apo planprogramet e arsimit nga Republika e Kosovës apo të Shqipërisë. Për fat të keq, ende në disa lëndë punohet me planprograme të shekullit të kaluar, e mos të flasim për atë se shteti serb nuk është duke i nostrifikuar diplomat e universiteteve nga Republika e Kosovës. Për mos hapjen e një perspektive për të rinjët që kryejnë shkollimin në Republikën e Kosovës, ata detyrohen të marrin rrugën e kurbetit.
Në lidhje me infrastrukturën, ajo çdo ditë është duke u përmirësuar me mundësitë tona financiare, dhe duke përmirësuar infrastrukturën po ndikojmë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik.
Pas marrjes së qeverisjes lokale në vitin e kaluar kemi kryer projekte të shumta të asfaltimit të rrugëve, ndër më të rëndësishmet janë asfaltimi i rrugës Muhoc – Zarbincë në Malësinë e Bujanocit, ku kap një kosto financiare mbi 1 milion euro, me gjatësi prej 5.600 metrave, ku menjëherë në atë zonë ka filluar një gjallëri. Diaspora ka filluar të investojë, disa njerëz të zhvendosur në Kosovë kanë filluar të kthehen dhe të merren me bujqësi dhe blegtori, kurse të tjerët t’i renovojnë shtëpitë e veta. Poashtu, vlenë të ceket asfaltimi i rrugës dhe ndriçimi i rrugës Tërnoc – Turi me një gjatësi prej 1.500 metrave, ku hap mundësi për zhvillim ekonomik dhe të turizimit. Ka edhe shumë projekte të tjera që kemi realizuar dhe po realizojmë për t’i suguruar qytetarëve tanë një jetë më të mirë.
Sa i përket gjendjes ekonomike, gjendja në sektorin e ndërmarrjeve shtetërore nuk është e lakmueshme.
Organizatat që janë në procesin e privatizimit apo edhe që janë privatizuar, janë kryer me procedura qe nuk kanë qenë transparente. Gjithmonë është punuar në atë drejtim që blerësit potencial shqiptarë të përjashtohen nga ai proces. Sa i përket sektorit privat, situata është më e mirë, por edhe këtu kemi probleme me plasimin e produkteve në Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë, se nuk kanë ndonjë lehtësirë për plasmanin e produkteve. Por, në këtë drejtim vlenë të ceket se ka disa ndërmarrje private të cilët merren me prodhime të dyerve dhe dritareve, e të cilët prodhimet e tyre i plasojnë në tregun europian, sidomos në Zvicërr, Gjermani, Austri, etj.
Sa po ju ndihmon qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë për realizim të projekteve financiare? A duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt?
Arifi: Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë shumë pak kanë bërë në të kaluarën për këto treva, por prapë mund ta falemnderojmë qeverinë Kurti 1 gjatë vitit të kaluar, ku për Luginën e Preshevës i ka ndarë 500.000 euro, gjegjësisht 200.000 për Bujanocin, për menaxhimin e pandemisë Covid 19. Poashtu, në vitin e kaluar nga ish qeveria Haradinaj kemi marrë 50.000 euro për programin e aftësimit profesional, kurse këtë vit përshkak të vërshimeve nga reshjet e shiut, kemi marrë ndihmën prej 200.000 eurove nga ish qeveria Hoti.
Kurse, nga Republika e Shqipërisë kemi pranur donacion prej 5.000 eurove për Zyrën për të Rinj, dhe 20.000 euro për renovimin e një shkolle fillore në fshatin Konçul. Këto ndihma janë që nga viti i kaluar, e që është një hap pozitiv, kurse më parë ndihmat kanë qenë shumë pak për të mos thënë aspak. Kurse, në anën tjetër, edhe ju jeni dëshmitar se Republika e Serbisë për serbët në Kosovë ndanë miliona euro nga buxheti i saj.
Personalisht, mendoj se qeveria e Kosovës, e sidomos ajo e Shqipërisë kanë mundësi të bëjnë më shumë për shqiptarët në këto treva.
Fondi Kombëtar për Luginën e Preshevës i nënshkruar nga dy qeveritë, ajo shqiptare dhe e Kosovës sa po jetësohet?
Arifi: Fondi Kombëtar për Luginën e Preshevës i nënshkruar nga dy qeveritë, deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Edhe sspe, në çdo takim që kam pasur me qeverinë Hoti dhe me qeverinë Kurti, por edhe me qeverinë Rama kam parashtruar pyetjen se ku ka mbetur jetësimi i Fondit Kombëtar, por përgjigje nuk kemi. Mbesim me shpresë se ky Fond të fillojë së funksionuari.
Ish qeveria Hoti kishte aprovuar një program për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës, çfarë është bërë me të, dhe a ja keni përmendur këtë kryeministrit Kurti?
Arifi: Është e vërtetë që ish qeveria Hoti ka aprovuar një program për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës, bile pati premtuar që të hapë një zyrë në kuadër të kryeministrisë dhe në krye të kësaj zyre të jetë një person me ndikim politik. Për fat të keq, nuk ka pasur lëvizje konkrete. Në takimin e fundit që kam zhvilluar me kryeminstrin Kurti më 22 qershor e kam hapë këtë çështje, por përgjigje aty për aty nuk kam marrë, por shpresoj që të realizohet ky program.
Në fund të këtij muaji, kryeministri Kurti pritet të zhvillojë një takim tjetër me presidentin serb, Vuçiq. Gjatë takimeve me Kurtin a keni parashtruar ndonjë kërkesë, qoftë edhe për përfshirjen politikanë të Luginës në dialog?
Arifi: Po, kryeministri Kurti pritet të zhvillojë një takim me presidentin Vuçiq, ku kemi kërkuar që edhe Lugina të jetë temë e bisedimeve në takimet e radhës. Kryeministri Kurti na ka premtuar dhe ka përsëritur disa herë se gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ka qenë dhe do të jetë në agjendën e tij gjatë bisedave me palën serbe.
Sa e ka ngritur sipas jush zërin Qeveria e Kosovës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës në takim me palën serbe, apo duhet bërë më tepër në këtë drejtim?
Arifi: Është fakt se qeveria e Kosovës çështjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e ka hudhë në tavolinë me presidentin Vuçiq, ne shpresojmë që këto probleme të cilat janë të përditshme do të jenë edhe më fuqishëm të prezentuara në bisedat e ardhshme, sepse situata u bë e padurueshme, duke u nisur nga shlyerja e shqiptarëve nga gjendja civile, mos nostrfikimi i diplomave, mos kyqja e shqiptarëve në organet shtetërore. Me një fjalë, cenohen të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Andaj, kërkojmë nga qeveria Kurti të jetë gjithmonë në përkrahje të kërkesave dhe të ketë parasysh parimin e reciprocitetit për shqiptarët e Luginës dhe serbët e Kosovës sipas standardeve europiane.
Për fund, cila është sot gjendja e shqiptarëve të Luginës, konkretisht Bujanocit?
Arifi: Situata e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e konkretisht në komunën e Bujanocit nuk është e lakmueshme, sepse qeveria e Republikës së Serbisë me të gjitha mjetet që disponon, në mënyrë shumë perfide i cenon të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve. A ka më keq që një person që ka lindur, është rritur e është shkolluar në vendlindje t’iu merret e drejta e vendbanimit.
Kurse, në anën tjetër ka qenë i detyruar të largohet përkohësisht, qoftë në Kosovë apo në Perëndim. Por, këtu edhe qeveria e Kosovës është duke u sjellur jo mire ndaj të zhvendosurve nga Malësia e Bujanocit në qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët janë larguar qoftë për shkaqe politike, ekonomike apo arsimore, e nuk ia mundëson të fitojnë të drejtën në shtetësi, bile edhe ne vendqëndrim të përkohshëm.
Pra, situata kërkon zgjidhje të menjëhershme edhe nga qeveria e Serbisë, por edhe e Kosovës.
Shtrohet pyetja se si është e mundshme që serbët të kenë dy shtetësi, dy paga, të kenë plangrome dhe tekste të Serbisë, punësim qoftë në Serbi apo Kosovë,kurse shqiptarët të mos kenë asnjërën nga këto. Por, shpresojmë që këto gjëra të përmirësohen, ngase shpresa mbetet e fundit.