Arifi dhe Mustafa: Kosova dhe Shqipëria i kanë harruar premtimet për Luginën
Lokale

Arifi dhe Mustafa: Kosova dhe Shqipëria i kanë harruar premtimet për Luginën

16.May.2019 13:36
0

Në kohën kur në hapësirat shqiptare po diskutohet nëse duhet apo jo që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, një fond mbështetjeje që shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kishin premtuar për shqiptarët e kësaj treve pothuajse është harruar.

Në mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila u mbajt në vitin 2014 në Prizren, u aprovua vendimi për “Fondin e përbashkët për Luginën e Preshevës”, me të cilin dy shtetet zotoheshin se do të ndihmonin shqiptarët në Luginë. Por, ndërsa kanë kaluar gati pesë vjet, për këtë fond nuk flitet më. 

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me funksionalizimin e këtij fondi.

Pavarësisht premtimeve të shumta, të dy konsiderojnë se Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Luginë.

Ragmi Mustafa, në një deklaratë për Koha.net, ka thënë se ky këshill, me marrjen e detyrave nga qeverisja e re, i është drejtuar dy qeverive me një shkresë, para mbledhjes së tyre të përbashkët, të mbajtur më 26 nëntor 2018 në Pejë. Nga asnjëra palë ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Atëherë, si dhe në shkresat e tjera, apo edhe në takime kemi avokuar e kërkuar që të vihet në funksion vendimi mbi ‘Fondin e përbashkët për Luginën e Preshevës’, i aprovuar në mbledhjen e parë të përbashkët në vitin 2014, në Prizren. Atëbotë janë derdhur 100 mijë euro mbështetje për maternitetin në Komunën e Preshevës”, ka thënë Mustafa, që sipas tij, në Luginë e konsiderojnë të domosdoshëm funksionalizimin e këtij fondi.

“Ndryshe do të shpenzohen mjete të caktuara (shuma të vogla) pa një strategji”, tha Mustafa.

Tutje, Mustafa thotë se Fondi do të duhej të ketë qëllime të precizuara e që përkthehen në plane operative.

“Duke qenë se autoritetet shtetërore të Republikës së Serbisë vazhdojnë diskriminimin mbi baza etnike ndaj shqiptarëve në Serbi, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë mbetet jetike për ruajtjen e substancës së tyre kombëtare, sidomos në Luginën e Preshevës. Duhet të adaptohen praktikat e mira nga vendet e rajonit (Hungaria, Kroacia ...etj), të cilat ndajnë financim vjetor nga buxheti i tyre shtetëror për bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë”, ka thënë Mustafa. “I bindur që në masën 0.50% nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë do të mjaftonin për të pasur një qasje serioze ndaj Luginës së Preshevës. Qoftë në kuptimin e mbështetjes institucionale, qoftë në kuptimin e krijimit të mundësive për zhvillim, apo edhe ruajtjes së veçorive dhe substancës kombëtare”, ka shtuar më tej ai.

Edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, për Koha.net ka thënë se në lidhje me këtë çështje ende s’ka kurrfarë sinjali nga Prishtina e Tirana.

“Para rreth një viti, në paraqitjet tona publike në mediat shqiptare, kemi shpalosur qëndrimet tona lidhur me këtë mekanizëm zhvillimor dhe natyrisht se i kemi njoftuar të gjithë lidershipin shqiptar në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë protokollare kemi dorëzuar kërkesën tonë, më 16 tetor 2018, mjaftueshëm kohë para mbledhjes së dy qeverive shqiptare. Por ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare, por as jozyrtare nga qeveritë tona. Po t’i krahasojmë investimet e Serbisë në veriun e Kosovës me ato të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës në Luginën e Preshevës mund të arrihet shumë shpejt tek dëshpërimi”, ka deklaruar Arifi.

Sipas tij, meqë dihet se Serbia është duke investuar mjete milionëshe tek serbët në Kosovë, qeveritë shqiptare e kanë neglizhuar këtë çështje.

“Sidoqoftë, vlen të theksojmë se Qeveria Haradinaj është duke treguar hapa pozitivë lidhur me këtë çështje pasi deri më tani kanë aprovuar gjithsej katër projekte për Komunën e Preshevës dhe një për Komunën e Bujanocit. Është për t’u përshëndetur qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi po japin shpresa tek qytetarët e Luginës së Preshevës”, ka theksuar ai.

Arifi ka thënë se pavarësisht premtimeve të shumta për shqiptarët në Luginë, pak është punuar.

“Përveç iniciativës dhe mirëkuptimit të Haradinajt, që ka konkretizuar premtimet për Luginën e Preshevës, nuk kemi nga askush një realizim të premtimeve. Realisht nuk duhet të jetë në rrafshin e premtimeve mbështetja për shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, por duhet të jetë një strategji kombëtare për shqiptarët në pakicë, sidomos në Serbi dhe Mal të Zi. Kush nuk përkujdeset për skajet e trojeve shqiptare, që tani jemi ne Lugina e Preshevës, shqiptarët në Mal të Zi dhe në Çamëri, i ka gjithnjë të rrezikuar edhe qendrat kryesore shqiptare, Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin”, ka theksuar Arifi.

Për kryetarin e Komunës së Preshevës, themelimi i Fondit Kombëtar të Solidaritetit është vetëm çështje kohe. Ka shpresa ndër të tjerash tek shqiptarët në Luginë, sidomos në momentin kur Qeveria e Kosovës ka dhënë sinjalin e parë që do t’i mbështesë ato komuna.

“Fillimisht z.Haradinaj në fund të vitit të kaluar ka ndarë 112 mijë euro për ndërtimin e parkut të paqes në qytetin tonë. Për momentin kemi aplikuar me tri projekte, në sferën e kulturës, IT-së dhe sportit. Siç cekëm më parë sinjalet fillestare janë pozitive”, tha ai.

Derisa në një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për Koha.net, shmanget çështja e këtij fondi për Luginën, aty theksohet vetëm mbështetja në projektet që ka zbatuar deri tani.

Zëdhënësja në Qeverinë e Kosovës, Donjeta Gashi, foli për Koha.net vetëm për projektet që Ekzekutivi i ka financuar.

“Deri tani janë mbështetur dy projekte në Luginë. Janë financuar shkolla në Bujanoc me një vlerë prej 50 mijë eurosh dhe Parku i Paqes në Preshevë në vlerë prej 112 mijë eurosh. Janë edhe tri projekte të tjera, të cilat janë prezantuar dhe për të cilat po shqyrtohet mundësia e akomodimit në strukturën buxhetore të vendit. Bëhet fjalë për projektet si: Rinovimi i Teatrit, Shkolla Digjitale dhe një fushë e sportit. Kurdo që kemi ndonjë lëvizje në këtë drejtim, sigurisht që do t’ju informojmë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Koha.net nuk ka arritur të marrë një qëndrim prej zyrtarëve nga Qeveria e Shqipërisë në lidhje me Fondin për Luginën, premtim që u bë edhe nga ana e tyre.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration