Albin Kurti pret në takim një delegacion nga Lugina e Preshevës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mirëpriti një delegacion nga Lugina të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Nënkryetari i kësaj komune, Armend Aliu, Kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim – Dega Bujanoc, Arben Pajaziti dhe Shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, Altin Boriçi.
Shqiprim Arifi e uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit. Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët.
Kurti i falënderoi për vizitën dhe urimet. Ai tha se Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkarisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.
Fitorja e Lëvizjes i ka dhënë një kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe kjo tashmë po ndihet gjithandej.