10 ditët e muajit Dhul Hixheh ( para Kurban Bajramit)
Nëntë ditët para Kurban Bajramit dhe e dhjeta dita e Kurban Bajramit, janë ditët më të vlefshme të të gjithë vitit tek Allahu i lartëmadhëruar.
Këto dita fillojnë nga dita e nesërme më 11 korrik ditë e diel dhe deri në ditën e kurban Bajramit më 20 korrik ditë e martë.
Allahu i lartëmadhëruar është betuar në këto dita, që nënkupton vlerën e tyre të madhe, e që besimtarët musliman ti shfrytëzojnë dhe të mos dalin të humbur nga kjo vlerë e madhe.
Allahu në Kuran thotë: “ Betohem për muzgun e agimit, dhe për dhjetë netët ( e para të muajit Dhul Hixhxheh )”. Kur’an 89 / 1 – 2
Ndërsa Pejgamberi Muhamedi a.s. nga shumë hadithe që flet për këto dita, në këtë hadith thotë:
“” Nuk ka dita, që vlera e punëve tek Allahu është më e dashur se në këto dhjetë dita. I thanë Sahabet: As lufta e shenjtë në rrugën e Allahut o i Dërguar i Allahut? Tha: As lufta e shenjtë për hirë të Allahut, përveç se një person që ka dalur në luftën e shenjtë duke sakrifikuar veten dhe pasurine e tij, dhe i ka humbur të dyjat “”. Transmeton Buhariu
Këto pra, janë ditët më të vlefshme të vitit, ku Muhamedi a.s. thotë: “” Ditët më të vlefshme të dunjasë janë këto dhjetë dita “” . Sahih elxhamiu sagir.
Allahu i madhëruar i nderoi robërit e Tij me këtë dhuratë të madhe, që ata ta shfrytëzojnë dhe të përfitojnë prej kësaj dhurate me adhurime, bamirësi, lutje etj.
Shkaku i vlerësimit të këtyre ditëve është se, në këto dita është: Dita e arafatit, kryerja e haxhit me të gjitha veprimet që përmban, dita e Kurban Bajramit, therrja e Kurbanit etj.
Vlera e adhurimeve dhe veprave të tjera të mira, shumëfishohet me shpërblime të mëdha nga Zoti.
Andaj të jemi të vëmendshëm që këtë dhuratë të madhe të Allahut tonë të madhëruar, ta e marrim me shumë seriozitet dhe shumë sinqeritet, që përmes adhurimeve dhe angazhimeve tona, të përfitojmë nga të mirat e Zotit, si në këtë botë, por në veçanti për botën pas vdekjes.
ÇFARË DUHET TË BËJMË NË KËTO DITA
Thotë Pejgamberi Muhamedi s.a.v.s.: “ Nuk ka dita më të mëdha te Zoti dhe punë më e dashur te Zoti se sa në këto dhjetë dita. Thuani sa më shumë gjatë tyre: La ilahe il-lallah,, Allahu ekber,, dhe Elhamdulilah “. ( Ahmedi )
Nga veprimet që është mirë t’i bëjmë në këto dita:
- Pendimi nga të gjitha mëkatet, duke kërkuar nga Zoti që të na falë mëkatet, duke i theksuar ato. Dhe gjithashtu përmes KËRKIMFALJES ( ESTAGFIRULLAH ), e që duhet ta themi sa më shumë dhe sa më shpesh.
- Tu kërkojmë falje njerëzve që i kemi bërë zullum ( padrejtësi ), qoftë përmes fjalës, apo ndonjë veprimi, apo kthimin e borxhit, apo pagesave të veresive etj.
- Ti kryejmë Namazet Farze me rregull, sepse lënia e namazit farz konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha në raport mes njeriut dhe Zotit.
- Bamirësia ndaj prindërve. Gjithashtu edhe ndaj farefisit tënd të familjes së afërt.
- Të largohemi nga të gjitha mëkatet. Qofshin ato edhe të voglat sipas mundësive, sepse mëkatet në këto dita janë shumë më të mëdha se në ditët tjera.
- Agjërimi vullnetar i 9 ditëve, apo edhe ndonjë dite të veçantë nga këto dita. Muhamedi a.s. thotë: “”Kush agjëron një ditë për hirë të Allahut, atij Allahu do t’ia largon fytyrën nga zjarri për 70 vite ““. Transmeton Buhariu dhe Muslimi
- Sadakë për çdo ditë nga këto dita. Sadaka ka një vlerë të madhe tek Allahu, andaj regjistrojeni veten tuaj në rgjistrin e Allahun, se ishin nga sadakadhënësit për çdo ditë të këtyre ditëve.
- Namazet nafile, qofshin synetet e 5 farzeve, namazi i natës, namazi i paraditës etj.
- Leximi i Kur’anit, sepse përmes leximit të Kuranit përfiton ndriçim në varr dhe shpëtim nga zjarri në ditën e gjykimit.
- Përmendja e shumtë e Zotit. Është ndër adhurimet më të lehta dhe me vlerë shumë të madhe.
Muhamedi a.s. thotë: “.. Thuani sa më shumë në këto dita: La ilahe il-lallah, Elhamdulilah, dhe Allahu ekber “. Transmeton Ahmedi
- Preferohet agjërimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në haxh (( Bedaiu sanaië 2 / 76 )).
Ku për këtë Muhamedi a.s thotë: “” Agjërimi i ditës së arafatit duke e llogaritur për Allahun, i shlyen mëkatet (e vogla) e vitit që po kalon dhe vitit të ardhshëm “”. Transmeton Muslimi, Termidhiu etj.
- Mundohu që të hulumtosh një familje që ka nevojë, dhe ta gëzosh atë familje, duke i përgatitur ( finansuar ) sofrën e Bajramit dhe duke ia gëzuar fëmijët me veshje për Bajram.
- Mos rri neglizhent në këto dita duke të ikur koha, por aktivizohu në maksimum me të gjitha format e adhurimit dhe bamirësisë.
- Të mundohet gjithkush që ta aktivizon familjene tij në këto dita, përmes adhurimeve të përbashkëta dhe lutjeve për mirësi, dashuri dhe harmoni familjare.
- Bëhu shkaktar që ta tërheqësh dikë në këto të mira, dhe mos lejo që dikush të të tërheq ty nga këto të mira të mëdha të Zotit.
Përgatiti: RAGMI DESTANI- Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc