Vrasja e tetë nxënësve në Serbi, dorëhiqet ministri i Arsimit
Ministri i Arsimit në Serbi, Branko Ruzhiç ka dhënë dorëheqje, raporton Euronews Serbia.
Dorëheqja e Ruzhiç-it vjen pas vrasjes së tetë nxënësve në një shkollë fillore në Beograd më 3 maj nga një 14-vjeçar.
Kujtojmë se Ruzhiç ka folur në ditën e vrasjes masive në shkollën fillore “Vladilav Ribnikar” dhe ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave.
Ai pati theksuar se “askush nuk mund t’i kthejë fëmijët te prindërit e tyre”, dhe shtoi se Serbia “për fat të keq është në një pjesë të botës ku gjëra të tilla ndodhin gjithnjë e më shpesh”.
Po ashtu dorëheqja e Ruzhiçit është kërkuar edhe nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Arsimit të Serbisë pasi kanë marrë vendim për ndërprerjen e punës në të gjitha shkollat.
Largimin e ministrit të Arsimit e kërkuan edhe përfaqësues të opozitës në Serbi.
Tragjedia
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Beograd paraditen e 3 majit, ku një adoleshent 14-vjeçar ka shkuar me një armë në shkollën e tij dhe ka lënë të vrarë të paktën 9 persona, duke plagosur edhe disa të tjerë.
Mes të vrarëve kanë qenë sipas raportimit zyrtar nga Policia, tetë fëmijë, si edhe roja i shkollës.
Mediat serbe kanë raportuar se fillimisht, djali është futur në klasën e tij, ka nxjerrë armën dhe ka filluar të qëllojë, duke lënë disa të vdekur.
Disa prej të dëmtuarve ndërkaq janë dërguar në spital, teksa autori është arrestuar.
Një prej dëshmitareve të ngjarjes, ka thënë ndërkaq se dëgjoi zhurma në orët e para të mëngjesit dhe mendoi se fëmijët në shkollë, po hidhnin fishekzjarrë.
Më pas, pikasi rojën e sigurisë, i cili ra përtokë dhe më tej, pavarësisht se ajo kërkoi të ngjitej lart, nuk e lejuan. Pasi panë se punonjësi i sigurisë ishte qëlluar, kanë shkuar të gjejnë strehim.
Ky është i pari i një natyre të tillë, i regjistruar në Ballkan vitet e fundit, ku më së shumti rastet e ngjashme janë parë në SHBA, me vrasje masive qoftë në shkolla, apo edhe në supermarkete, qendra tregtare e ambiente të tjera publike.
Më 5 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media pas sulmit të dytë masiv në Serbi, ku një 21 vjeçar vrau tetë persona dhe plagosi më shumë se dhjetë të tjerë, në jug të Beogradit, ka propozuar kryeministres, Ana Bërnabiç, që të rikthejë vendimin për dënimin me vdekje, megjithatë sipas tij një gjë e tillë është kundërshtuar nga kjo e fundit.
Vuçiç ndër të tjera në këtë konferencë për media ka prezantuar disa masa të reja, duke përfshirë punësimin e 1 mijë e 200 policëve të rinj, dënime më të ashpra për mbajtje të paautorizuar të armëve, por edhe thirrje publike për dorëzim të armëve të paligjshme.
“Qeveria do të nxjerrë një konkluzion me të cilin do të udhëzojë MPB-në që urgjentisht dhe pa procedura të përgatisë amendamentet e ligjit për municionet, me të cilat do të forcohen kushtet për mbajtjen e armëve”.
“Ne do të bëjmë çarmatimin e plotë të Serbisë. Dënimet do të jenë të larta për armët ilegale”, ka shtuar ai.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/uzic.jpg): failed to open stream: No such file or directory