Viti i ri shkollor me pushim dimëror në dy pjesë dhe reforma në vlerësim
Nga një shtatori do të ketë një mënyrë të re të vlerësimit në notimin e nxënësve, si dhe ndryshime në kalendarin e pushimit dimëror.Sipas ministrit të Arsimit të Serbisë, Srgjan Verbiq, nga viti i ri shkollor do të fillohet me sistemin e ri të notimit të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë.
Në vend të “notimit përshkrues të pafund” mësuesit do të notojnë në mënyrë standarde në “formën e cila do të mundësojë përpunimin e të dhënave elektronike”.
“Ky sistem do të na mundësojë përcjelljen e të arriturave të nxënësve dhe realizimin, të cilin deri më tani nuk kemi mundur ta bëjmë”, ka thënë Verbiq për agjencinë Beta, transmeton Titulli.com.
Ai ka deklaruar se kjo mënyrë e vlerësimit do të ketë përparësi, pasi do t’i mundësojë një qasje më të mirë si mësuesve njashtu edhe prindërve.
Gjithashtu, ministri ka nënvizuar se në vitin e ri shkollor, pushimi dimëror në shkolla do të ndahet në dy pjesë.
“Punën e parë që do ta bëjmë është shtyrja e pushimit dimëror”, tha Verbiq.
Me kalendarin e ri të zhvillimit të procesit edukativo-arsimor, pushimi dimëror është i ndarë në dy pjesë, pjesa e parë fillon të enjten, 31 dhjetor 2015 dhe përfundon të premten, 8 janar 2016.
Pjesa e dytë fillon të hënën, 1 shkurt 2016 dhe përmbyllet të premten, 12 shkurt 2016.
Në këtë vit shkollor që po e lëmë pas, pushimi dimëror ishte vetëm në një pjesë dhe ai zgjati prej 31 dhjetor 2014 deri më 19 janar 2015./Titulli.com/