Tërnoc: Pacientët nuk durojnë më, ka mungesë të mjekëve dhe shkurtim të shërbimeve
Ambulanca në fshatin më të madh të komunës së Bujanocit, në Tërnoc, po vuan nga mungesa e mjekëve, derisa pacientët që sot herët vizituan këtë shërbim mjekësor kanë mbet të pakënaqur.
Pakënaqësitë e tyre kanë shpërthyer në mëngjesin e sotëm, kur situata eskaloi në fyerje pasi që pacientët prisnin ndërsa mjeku nuk ishte në shërbim edhe pse kishte filluar orari i punës.
Këtë rast të sotëm për gazetarin e Titullit e konfirmoi edhe personeli ndihmës në këtë ambulancë, ndërsa fyerjet verbale kishin filluar pasi nuk mund të durohej një shërbim i tillë ndaj pacientëve.
Siç ka mësuar Titulli dy mjekët shqiptarë që punojnë në këtë stacion mjekësor janë në pushim, ndërsa zëvendësuesja, doktoresha, sot nuk ishte në ordinancë në fillim të orarit të punës.
Motrat ishin në shërbim por të njëjtat nuk mund të zbatojnë ndonjë ndihmë mjekësore pa aprovim paraprak të mjekut.
Pacientët që vizitohen në këtë stacion mjekësor i kanë thënë Titullit se përveç që ka vonesa, ata janë të zemëruar edhe me heqjen e shërbimit mjekësor në ndërrimin e pasdites, që nga data 2 qershor e këtij viti.
“Pasdite në Tërnoc nuk ka mjek, duhet me shku në Bujanoc për një kontroll mjekësor. Nuk mbahet mend diçka e tillë të kemi pas më herët në fshatin më të madh në Luginë”, u shpreh A.A. me anonimitet.
Gazetari i Titullit rreth situatës së krijuar në këtë stacion mjekësor sot ka provuar dy herë të kontaktojë drejtoreshën e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc Lela Jovanoviq, përgjegjëse për mbarëvajtjen në këto qendra shërbyese shëndetësore në këtë komunë.
Në dy herët që është kontaktuar stafi i Jovanoviqit, ajo ishte nxënë, ndërsa deri në këto momente gazetari nuk ka marr ndonjë përgjigje edhe pse është lënë numri i telefonit për të sqaruar këtë situatë të rëndësishme për publikun.
Nga vet mjekët që kanë punuar në këtë stacion shëndetësor, Titulli ka arritur të mësojë se kjo qendër shëndetësore është më e ngarkuari sa i përket numrit të pacientëve për një mjek.
Në Tërnoc, në një ndërrim punon një mjek dhe stafi tjetër i motrave. Sipas pacientëve puna e një mjeku nuk mund të përballojë numrin e lartë të pacientëve që kërkojnë ndihmë.
Sipas motrave që punojnë në këtë ambulancë, gjatë kohës që punohej në dy ndërrime, numri i pacientëve në të shumtën e rasteve kalon numrin 130 në ditë.
Tani të njëjtat, për shkak që nga dy qershori është hequr shërbimi mjekësor edhe gjatë pasdites, janë të detyruara shpeshherë që librezat e pacientëve t’i pranojnë deri në orën 12:00 në mënyrë që mjeku të arrijë që brenda orarit të punës të bëjë kontrollimin e pacientëve të paraqitur./Titulli.com/