Situata në Kumanovë, mbledhje urgjente në Preshevë (Audio)
Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme, mbrëmjen e së shtunës ka zhvilluar një mbledhje urgjente për situatën e krijuar në komunën fqinje në Maqedoni dhe pritjen e të ikurve nga Kumanova.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka shpjeguar për portalin informativ Titulli.com se seanca me Shtabin për Situata të Jashtëzakonshme, që mbledhë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të kësaj komune, u mbajt për t’u përgatitur në rast të ndonjë fluksi më të madh të qytetarëve që vijnë nga Kumanova në Preshevë.
“Qëllimi i mbajtjes së kësaj mbledhje është ardhja e shqiptarëve nga lagja e ‘Trimave’ në Kumanovë, në orët e pasdites në drejtim të Preshevës, duke qenë se është kriju një situatë e një konflikti të armatosur ku focat policore speciale maqedonase kanë larguar shqiptarët nga kjo lagje. Me këtë rast është ngritur shkalla e gatishmërisë për t’i pritur shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kumanovë”, u shpreh kryetari Mustafa.
Ai tha se edhe pse një numër i konsiderueshëm të ikurve nga Kumanova kanë lidhje familjare në këtë komunë, Presheva do të jetë e gatshme që të presë edhe një fluks më të madh, pasi siç u shpreh Mustafa, “nuk i dihet epilogu situatës së krijuar”.
I pari i komunës së Preshevës gjithashtu sqaroi se nga ora 20:00h policia kufitare serbe ka kthyer kumanovarët që ishin drejtuar Preshevës, me pretekstin se nuk është një luftë e armatosur edhe aq e rrezikshme që të mos kenë siguri qytetarët në Kumanovë.
Duhet theksuar se deri në orët e para të mbrëmjes së të shtunës, sipas informacioneve të dhëna nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, 397 shqiptarë nga Kumanova kanë hyrë në Serbi.
Pjesa më e madhe janë vendosur në Komunë të Preshevës, derisa ka nga ata që janë vendosur tek familjarët edhe në Komunë të Bujanocit. /Titulli.com/