Situata në Kumanovë dhe ndikimi në Preshevë (video)
Raportimet për gjendjen e tensionuar në Kumanovë, shihen me shqetësim edhe nga shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Disa qytetarë shqiptarë banorë të Kumanovës, ekipi i RTK-së i takoi në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë në afërsi të Preshevës. Për shkak të pasigurisë, ata thanë se e lëshuan Kumanovën.
Ndërkohë siç bëjnë të ditur mediet serbe, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, po qëndron në bazën e xhandarmërisë në Ristovc të Bujanocit, me qëllim të vëzhgimit nga afër të gjendjes në Maqedoni.
Burimet e njëjta bëjnë të ditur që përmes bisedave telefonike, kryepolici serb Stefanoviq, ka siguruar kolegen e tij maqedonase, Gordana Jankulloska, se ka përforcuar Zonën Tokësore të Sigurisë përreth vijës kufitare që ndanë Maqedoninë dhe Serbinë.
Ndryshe në Luginë situata vazhdon të jetë e qetë ndërkohë që nuk është mësuar apo raportuar për ndonjë incident eventual.