Shtrohet sofra vëllazërore e iftarit në Bujanoc (foto)
Në Bujanoc të dielën është shtruar sofra vëllazërore e iftarit e mbështetur nga Shoqata Ndërkombëtare Humanitare “YARDIMELI” nga Turqia dhe gjithashtu janë shpërndarë paketa ushqimore për disa familje në nevojë.
Nikoqirë i këtij aktivitet ishte Organizata Kulturore Humanitare “Vëllazërimi”, e cila kishte ftuar në iftar një pjesë të nxënësve të kursit të gjuhës turke, profesorë të shkollave dhe aktivistë të organizatës.
Shukri Xhan, kryetar i shoqatës “YARDIMELI” ka falënderuar pjesëmarrësit e iftarit duke uruar që ky do të jetë një fillim i mbarë i bashkëpunimeve të mëtutjeshme.
“Ky organizim i iftarit do të jetë vetëm një fillim i mirë për shumë punë tjera të mira në të ardhmen dhe shpresojë se ky do të jetë një aktivitet i mbarë që do t’i hap rrugë aktiviteteve të ardhshme”, tha Xhan para të pranishmëve në iftarin e organizuar në Bujanoc, raporton Titulli.
Xhan duke folur për projektet e së ardhmes është shprehur i bindur edhe në vazhdimin e organizimeve të ndryshme më nxënës të shkollave nga ky rajon.
Këtë aktivitet e ka përshëndetur Ibrahim Rustemi, kryetar i Organizatës Kulturore Humanitare “Vëllazërimi” nga Bujanoci, i cili falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të shoqatës “YARDIMELI”.
“Unë urojë që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë me një intensitet më të madh që aktivitetet tona do të jenë në dobi të shoqërisë sonë ku jetojmë. Gjithashtu falënderoj edhe Shukri Xhan për mikpritjen vëllazërore që na bëhet në organizimet e ndryshme në Turqi”, është shprehur Rustemi.
Ai thotë se organizata “Vëllazërimi” do të vazhdojë të punojë me rininë në realizimin e projekteve të ndryshme kulturore, humanitare dhe edukative.
Shoqata Ndërkombëtare Humanitare “YARDIMELI” nga Turqia është organizatë që ka për qëllim zhvillimin e humanitetit dhe vepron në 30 shtete të botës.
“Vëllazërimi” është një organizatë që punon në fushën e kulturës, avancimin e rinisë përmes projekteve të ndryshme, edukimin e mësuesve, projekte humanitare dhe ka krijuar lidhje bashkëpunimi me organizata simotra në Turqi./Titulli.com/