Shqipëria me një këmbë në EURO 2024, mposht 2-0 Poloninë
TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 2-0 mbrëmjen e sotme kundër Polonisë në “Air Albania”, falë golave të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.
Trajneri Sylvinho hodhi në fushën e lojës formacionin me portierin Strakosha; mbrojtësit Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë Asllani, Ramadani dhe Bajrami dhe në sulm Asani, Uzuni, dhe Cikalleshi.
Para ndeshjes janë shënuar disa incidente mes dy tifozerive, por policia ndërhyn për të ulur tensionet, teksa më pas që në minutën e parë gjyqtari ndal menjëherë sfidën, për shkak të disa flakadanëve të hedhura nga tribunat e tifozëve.
Rasti parë për Kombëtaren vjen në minutën e 19’, teksa Asllani nis një top në thellësi për Bajramin i cili hyn në zonë nga e majta dhe pason në shtyllën e dytë, por nuk gjen askënd atje për të gjuajtur në portë.
Në minutën 21′ shënojnë polakët! Pas një goditje dënimi, sfera shkon në rrjetë falë devijimit të Kivior, por VAR anulon pas 3 minutash shqyrtim për pozicion jashtë loje.
Në minutën 37′ shënon Shqipëria! Supergol i Asanit, i cili godet nga jashtë zone duke i dhënë avantazhin kuqezinjve.
Në pjesën e dytë Polonia ishte më aktive në kërkim të golit të barazimit, duke krijuar disa aksione, por pa rezultat.
Në minutën 61’ trajneri Sylvinho kryen 2 zëvendësime që do të rezultojnë deçizive. Daku dhe Seferi hynë në vendin e CIkalleshit dhe Uzunit.
Një minutë më pas Daku shënon pas një aksioni nga e djathta e sulmit kuqezi. Daku merr topin në qendër të zonës, driblon një kundërshtar dhe mposht portierin polak Szczesny.
Pas golit të dytë Kombëtarja menaxhoi rezultatin deri në fund të lojës me qarkullim të gjatë të topit, duke mos lejuar asnjë hapësirë, të mbështetur edhe nga lojtari i 12-të, tifozët kuqezinj.
Sfida e Tiranës ishte e pesta për dy skuadrat që luajnë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Pas kësaj fitoreje kuqezinjtë e Sylvinhos (10 pikë) mbajnë vendin e parë në grup, me dy pikë më shumë se Çekia (8) dhe katër pikë më shumë se Moldavia (8), Polonia e 4-ta me 6 pikë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho
Polonia (4-4-2): Szczesny; Cash, Kedziora, Bednarek, Kaminski; Kiuor, Zielinski, Szymanski, Krychouiak, Berezynski, Lewandowski Trajner: Fernando Santos.
Deri në fund nuk pati më gola dhe ndeshja mori rezultatin përfundimtar 2-0.
Kësisoj, me këtë fitore, Shqipëria e sheh vetën lidere në grupin E me dhjetë pikë, kurse Polonia gjendet në pozitën e katër me gjashtë sosh.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/hqiperi-poloni.jpg): failed to open stream: No such file or directory