Serbia synon “Oscar” me “Konsullin rus” të propagandës ndaj Kosovës
Rajoni dhe Politika

Serbia synon “Oscar” me “Konsullin rus” të propagandës ndaj Kosovës

29.Sep.2024 07:28
0

Tema, ka qenë përcaktuese që filmi “Konsulli rus” të jetë kandidati i Serbisë për nominim për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit të huaj. E nëpërmjet tij, komisioni që e ka përzgjedhur sheh mundësi “që bota ta njohë anën tjetër të rrëfimit për raportet serbo-shqiptare”. Por në fakt kjo vepër filmike – si shumica e filmave serbë – rrëshqet keqas në propagandë. Në esencë është një film propagandistik, me ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve nga shqiptarët. Aty luajnë edhe Enver Petrovci, Mensur Safqiu nga Kosova e Visar Vishka nga Maqedonia e Veriut.

Prishtinë, 24 shtator – Serbia e ka përzgjedhur tashmë filmin me të cilin do t’ia mësyjë çmimit më të madh në fushën e kinematografisë. Është “Konsulli rus” kandidati për “Oscar” dhe në esencë është një film propagandistik, me ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve.

Ka qenë pa konkurrencë në garën për t’u bërë kandidat, ka marrë nëntë votat e komisionit të Qendrës Kinematografike të Serbisë, duke lënë prapa konkurrentët e tjerë me nga dy a tri vota dhe anëtarët e kësaj “jurie” shohin potencial të madh jo vetëm për trofeun.

Sipas medieve serbe, nëpërmjet “Konsullit…” komisioni “sheh mundësi që bota ta njohë anën tjetër të rrëfimit për raportet serbo-shqiptare”. Por në fakt kjo vepër filmike – si shumica e filmave serbë – rrëshqet keqas në propagandë, bazuar në përshkrim dhe copëza të tij të bëra publike pas premierës botërore, në marsin e sivjetmë në Beograd.

Tash, qëllimi i filmit – në të cilin luajnë edhe Enver Petrovci, Mensur Safqiu nga Kosova e Visar Vishka nga Maqedonia e Veriut – shihet haptazi dhe kuptohet edhe prej njërit prej anëtarëve të komisionit që e ka përzgjedhur për ceremoninë e 97-të të “Academy Awards”.

Ngjarja zhvillohet në vitin 1973 në Prizren. Regjisori Miroslav Lekiq ka konkretizuar romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit e politikanit, Vuk Drashkoviq.

“Qëllimi i filmit është ta shpalosë rrëfimin për serbët në Kosovë, ndryshe prej atij që dominon. Anëtarët e Komisionit që kanë votuar për ‘Konsullin rus’, sipas deklaratave të disave prej tyre, kanë parë te ky film mundësinë që botës t’i tregohet ana tjetër për serbët”, ka shkruar televizioni “N1”, teksa ka cituar njërin prej anëtarëve.

“Dikush që dëshiron ta dëgjojë për Kosovën mendimin tjetër prej atij që dominon në hemisferën perëndimore, mund të informohet nëpërmjet këtij filmi që është vepër artistike”, citohet të ketë thënë Bozhidar Zeçeviq për “N1”. Po ky medium kritikon qasjen e Qendrës Kinematografike të Serbisë, që tema e filmit e jo filmi “bëhet faktor përcaktues për përzgjedhjen e kandidatit”, përderisa “Konsulli…” nuk ka kaluar ndonjë kritikë ndërkombëtare, as pjesëmarrje në ndonjë festival të njohur, njësoj siç nuk ka pasur fort sukses me shikueshmëri.

Ajo që do të shohin anëtarët e “Academy Awards” është një film i zakonshëm serb që financohet me paratë e shtetit. Krejt esenca e filmit përthekohet tek ajo çfarë ëndërron personazhi kryesor, një historian i krisur.

“Personazhin kryesor e luan Zharko Laushqviq. Është konsull i vetëshapallur, e në fakt është profesori i historisë Lubo Bozhoviq nga Gjakova, në dukje pacient psikiatrie që thotë se ‘Rusia do të bëhet sërish Rusi, e Kosova do të jetë sërish serbe’. Kundër tij çohen separatistët shqiptarë. Doktor Jugoviqi tenton ta shpëtojë e këtë do ta paguajë me burg”, është përshkrimi i filmit.

Më shumë detaje ishin dhënë kur “Konsulli rus” me premierë përmbylli edicionin e 52-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Beograd, të dielën e parë të marsit.

“Më i fuqishmi prej tyre, Halit Berisha (Visar Vishka), që i dëbon serbët nga Kosova me presione të ndryshme mizore: ushtron dhunë ndaj fëmijëve serbë nëpër shkolla, frikëson popullatën vendëse, i pengon ata të marrin kujdes shëndetësor, ngacmon familjet, u fut atyre pasiguri dhe ankth”, shkruhej në sqarimin e Festivalit. “Pra, radha i ka ardhur Lubo Bozhoviqit, të cilin Berisha po tenton ta nxjerrë nga shtëpia dhe ta largojë nga Kosova. ‘Konsulli rus’ refuzon ta shesë shtëpinë dhe përplaset me Berishën. Doktori Ilija Jugoviq qëndron nën mbrojtjen e tij”, shkruhej po aty.

“Në njëfarë forme, duke marrë për bazë sqarimet e dhëna për filmin, periudha kur Kosova u bë njësi konstituive me të drejta të një republike brenda Federatës, por prapë Krahinë Autonome, del të jetë kohë kryengritjesh për shqiptarët e njëkohësisht periudhë kur i çon edhe në çmenduri serbët”, kishte shkruar KOHA, pas premierës. I pranishëm në atë ceremoni kishin qenë edhe Enver Petrovci e Visar Vishka. Petrovci, profesor i aktrimit e personalitet i njohur në Beograd, i kontaktuar nga KOHA, nuk kishte dashur të flasë për filmin e as për premierën. Kishte preferuar se në rast se filmi do të jepej në Prishtinë më pas do të flasë për të.

Aktori shqiptar Visar Vishka në një intervistë për tabloidin serb “Kurir” i pyetur se përse kishte pranuar ta luajë rolin e paragjykuar të shqiptarit negativ, kishte thënë se fillimisht kishte kërkuar ta lexojë skenarin. Kishte treguar se ka refuzuar role sidomos në Maqedoni.

“Ky film nuk ishte aspak i njëanshëm. Unë u befasova këndshëm. Një film i mrekullueshëm njerëzor dhe më vjen mirë që isha pjesë e këtij ekipi”, citohej të ketë thënë ai.

Deri tash “Konsulli rus” nuk ka ardhur në Kosovë. Por synimet kishin qenë që ai të xhirohej vite më parë pikërisht këtu. E pengoi kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, por s’e bëri këtë për shkak të skenarit. Detaje si këto i kishte zbuluar Vuk Drashkoviqi në një intervistë bashkë me regjisorin Miroslav Lekiq. Romani “Konsulli rus” i Drashkoviqit qe botuar në fillim të viteve ’80. Kur u botua, kishin qenë grekët ata që synuan ta shndërronin në film në fillim të viteve ’90.

“Kam një gjë që unë edhe nuk e përmend. ‘Rosos proksimos’, ‘Konsulli rus’ u përkthye në greqisht në vitin 1991. Dhe asokohe grekët – unë e kam lexuar atë skenar – synuan vetëtimthi ta realizojnë filmin ‘Rosos proksimos’ me mjete të Bashkimit Evropian, por synuan që ta xhirojnë në Prizren, në Gjakovë, pra në Kosovë. Aty ku zhvillohet ngjarja. Ti, Miroslav Lekiq, tash nuk do të mund ta xhiroje në Prizren e Gjakovë, sepse nuk ngjajnë në Prizrenin e Gjakovën e viteve ’70”, kishte thënë Drashkoviqi. Ai ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë prej vitit 2004 deri në vitin 2007. Ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë prej janarit deri në prill të vitit 1999 në një qeveri më gjithëpërfshirëse në kohën kur pas negociatave për ndaljen e dhunës në Kosovë, bota perëndimore përdori forcën për të ndalur vrasjen e civilëve shqiptarë.

“Asokohe nuk ndryshoi gjë dhe për fat të keq Millosheviqi e ndaloi xhirimin e filmit në Kosovë, jo për shkak të grekëve, as për shkak të skenarit, por për shkak të autorit të romanit. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që letërsia ime përherë ka qenë e dënuar për shkak të qëndrimeve të mia politike”, kishte thënë Drashkoviqi, kryetar i Partisë Rilindëse Serbe që sot kundërshtohet nga nacionalistët serbë kur bën thirrje që të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur.

“Në luftërat e viteve ’90 kemi humbur shtetin, në të cilin jetonin të gjithë serbët. Në luftën kundër NATO-s e humbëm Kosovën. Në luftën e re, kjo është e qartë, do ta humbnim edhe Serbinë. Vetëm duke pranuar realitetin kosovar dhe në miqësi me popullin shqiptar, Serbia mund t’i ruajë dhe forcojë popullin serb të mbetur në Kosovë, kishat dhe manastiret serbe, pronat e tyre, tokën e tyre, territorin e tyre. Asgjë prej këtyre nuk ka humbur as me kapitullimin në Kumanovë, as me Rezolutën 1244, as me dokumentin e Ahtisaarit, i cili është themeli i pavarësisë së Kosovës”, kishte shkruar ai më 2018.
Por “Konsulli rus”, bazuar në romanin e tij, përdoret prej Serbisë që s’e pranon realitetin, që t’ia shpalosë botës “rrëfimin për Kosovën ndryshe prej atij që dominon në hemisferën perëndimore”. Dhe atë deri në “Oscar”.

copy(/home/titulli/public_html/images/image/onsulli-rus.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Shpërthimi me granatë në pompë, policia patrullon rrugët e Zveçanit
Rama nga OKB mesazh 5 vendeve të BE’së që s’e njohin Kosovën
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration