Serbia, 63.7 milionë euro për zyrën e Kosovës ndërsa  3.3 milionë euro për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën
Lokale

Serbia, 63.7 milionë euro për zyrën e Kosovës ndërsa 3.3 milionë euro për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën

13.Nov.2019 09:23
0

Me projektbuxhetin e vitit 2020 Serbia ka planifikuar t’i ndajë 89 milionë euro për institucionet e veta në Kosovë, duke përfshirë 29 komuna paralele të ashtuquajtura “Organe të Përkohshme”, të cilat nuk janë integruar në sistemin kosovar. Derisa për Zyrën Serbe për Kosovën qeveria e Serbisë ka planifikuar 63.7 milionë euro, buxheti për Shërbimin (Këshillin) Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është 3.3 milionë euro. Janjiqi: Ndarja e buxheti si në kohën e Millosheviqit, shkruan gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Republika e Serbisë ka planifikuar buxhetin prej 89 milionë eurosh për institucionet e veta në Kosovë për vitin 2020. Me projektbuxhetin e vitit 2020, të cilin qeveria e Serbisë e ka dërguar për miratim në Kuvendin e Serbisë, vetëm për Zyrën e Kosovës janë planifikuar 63.7 milionë euro, të cilat të shumtën e herëve do të shpenzohen për mbështetje të funksionimit të institucioneve dhe të organizatave në territorin e Kosovës.

Buxhet, para së gjithash, për strukturat paralele serbe

Bëhet fjalë para së gjithash për të ashtuquajturat struktura paralele ose Organe të Përkohshme, të cilat funksionojnë me sistemin e Serbisë dhe të cilat janë të shtrira në 29 komuna të Kosovës e të cilat shteti i Kosovës nuk i njeh. Me Marrëveshjen e Brukselit, të gjitha strukturat paralele duhet të integrohen në institucionet kosovare, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur edhe me komunat paralele. Derisa për Zyrën Serbe për Kosovën qeveria e Serbisë ka planifikuar 63.7 milionë euro, buxheti për Shërbimin (Këshillin) Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është 3.3 milionë euro Në kuadër të shumës prej 63.7 milionë euro me të cilën do të disponojë Zyra Serbe për Kosovën në vitin 2020, siç përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, për avancimin e kualitetit të jetës së banorëve serbë dhe joshqiptarë në Kosovë janë planifikuar 21.6 milionë euro, nga të cilat më së shumti jepen për ndërtimin dhe për konstruktimin objekteve të banimit. Rreth 36.7 milionë euro do të orientohen për mbështetjen e funksionimit dhe të avancimit të kapaciteteve administrative lokale.

“Problemi është politik, sepse kur në strukturën e buxhetit vendoset forcimi i kapaciteteve administrative lokale, atëherë shihet se Serbia ka suspenduar Marrëveshjen e Brukselit kur bëhet fjalë për integrimin e administratës lokale në sistemin kosovar. Në Kosovë, sipas arsyetimit të propozim-buxhetit për vitin 2020, numërohen 29 struktura komunale ose të ashtuquajtura ‘Organe të Përkohshme’ dhe edhe pas 11 vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës punojnë me sistemin e Serbisë, derisa personelin e paguan Beogradi. Organet e Përkohshme punojnë paralelisht me komunat kosovare e në disa raste personeli i njëjtë punon edhe në njërën, edhe në tjetrën komunë dhe marrin paga të dyfishta”, thotë Dushan Janjiq, nga Forumi Joqeveritar për Raporte Etnike, përcjell “Kossev”-i.

Ai pohon se kjo qasje e Beogradit është absurd i një politike dhe e një shoqërie, si dhe shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, sepse gjatë dialogut në mes të Kosovës e Serbisë është arritur marrëveshja për shuarjen e të gjitha strukturave të mbetura të Serbisë dhe integrimi në ato kosovare. Integrimi ka ndodhur me Policinë dhe me gjyqësorin, por jo edhe me administratat lokale. Janjiqi ka marrë shembullin e Shtërpcës, ku kryetar i Komunës edhe me sistemin kosovar e edhe me atë serb është Bratisllav Nikoliq, sikurse që është edhe Svetisllav Ivanoviqi kryetar i Artanës dhe Zoran Todiqi i Leposaviqit".

Lojaliteti i dyfishtë buxhetor i serbëve të Kosovës

“Në esencë me këtë Serbia i ka rënë vetes në këmbë edhe kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave Serbe, si dhe kur bëhet fjalë për argumentin se ajo zbaton Marrëveshjen e Brukselit. Nëse shikojmë strukturën e tyre, atëherë shihet se mjetet jepen për mbajtjen e disa funksioneve, të cilat Serbia i mbulon prej kohës së Sllobodan Millosheviqit e këtej.

Edhe për arsimin vlen e njëjta, ku në të njëjtën kohë institucionet parashkollore dhe ato fillore marrin para edhe nga buxheti i Kosovës. Në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë për mbështetje të realizimit të mësimit në shkollat fillore dhe të mesme janë planifikuar rreth 680 mijë euro, ndërsa për Universitet serb të Prishtinës, selia e të cilit ndodhet në veri të Mitrovicës, Serbia ka ndarë me buxhetin e vet rreth 23.2 milionë euro. Për mbështetje të avancimit të kapaciteteve inovative, Serbia ka ndarë me buxhet 237.000 euro, ndërsa Ministrisë së Kulturës dhe të Informimit për mbështetje të informimit të qytetarëve në gjuhën serbe ka ndarë 78.600 euro, kurse Drejtorisë për Bashkëpunim me Bashkësitë Fetare dhe Kishat ka ndarë 538 mijë euro. Kjo krijon mobilizimin social të atyre njerëzve që mbrojnë gjendjen dhe politikën ekzistuese".

Beogradi në kohën e Millosheviqit ka zbatuar të njëjtin model dhe asnjë pushtet nuk ka gjetur fuqi të përballet me këtë paradoks, i cili asnjëherë në kuptimin financiar nuk do të kthehet, sepse askush ato shpenzime nuk do t’i pranojë, posaçërisht pas Marrëveshjes së Brukselit. Në anën tjetër janë duke u grumbulluar shpenzimet për pensione, dhënie sociale, të cilat Serbia duhet t’ua paguajë qytetarëve të Kosovës. Problemi më i madh është se është krijuar varësia buxhetore e serbëve të Kosovës nga Beogradi. Në ndërkohë ky lojalitet ka filluar të drejtohet edhe nga Prishtina. Tani kemi lojalitet buxhetor të dyfishtë”, ka thënë Janjiqi.

Për ndryshim nga Zyra për Kosovën, e cila sipas planit për buxhetin e vitit 2020 do të ketë në dispozicion gati 64 milionë euro, Shërbimi (Këshilli) Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka marrë 3.3 milionë euro për zhvillimin e pjesës më të varfër të Serbisë./ZËRI/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/rupi-koordinues.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Ora më e shtrenjtë në botë shitet për 31 milionë dollarë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration