Sadriu: Liderët heshtnin si pula para Stankoviqit
Në Tryezën e rrumbullakët “Marrëdhëniet etnike dhe sundimi i Ligjit në Serbi të jugut”, të mbajtur në Preshevë, Kujtim Sadriu pati një debat të nxehtë me kryetarin e Trupi Koordinues Zoran Santakoviq.
Kujtim Sadriu nga Presheva, njëherit iniciator për hapjen e Universitetit Ndërkombëtar në qytetin e tij, ka nxehur debatin në tryezën e rrumbullakët të mbajtur në Preshevë gjatë së mërkurës ku është biseduar edhe për problematikën e nostrifikimit të diplomave të studentëve nga Lugina që kanë përfunduar studimet në Kosovë.
Ai në një deklaratë të shkruar për media shpjegon ballafaqimin e tij me kryetarin ë Trupit Koordinues Zoran Stankoviq, për të cilin thotë se “na ka gënjyer”.
“Stankoviqi na gënjeu para syve, kinse janë nostrifikuar 80 diploma nga Universitetet e Republikës së Kosovës, gjë që nuk është e vërtetë. Mua personalisht, nuk më vinte çudi me deklaratat e zyrtarit të lartë shtetëror, por për çudi më vinte mos reagimet e liderëve, të cilët heshtnin si pula”, shkruan në deklaratën e tij Sadriu, transmeton Titulli.
“I pyetur nga ana ime: Zotëri Stankoviq, a jeni në dijeni se Gjykata Kushtetuese e Serbisë, ka ndaluar nostrifikimin e diplomave të Kosovë dhe se a e konsideroni ju këtë marrëveshje antikushtetuese, ai u përgjigj, se po jam në dijeni që ka ardhur një vendim tillë, por akoma nuk është i plotfuqishëm! Pyetja ime e radhës ishte, nëse kjo është antikushtetuese, a do të jetë antikushtetuese edhe integrimi i kufijve, a do të jetë antikushtetuese hyrja e qytetarëve nga Kosova me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, ai u përgjigj nuk është akoma në fuqi një vendim i tillë!!!”, shprehet Sadriu.
Iniciuesi për hapjen e degës për arsim të lartë në këtë qytet, në pyetjen e gazetarëve se si e komentoni paralajmërimin se mund të merren masa për hapjen e Universitetit Ndërkombëtar në Preshevë, theksoi:
“Nuk më brengosin mua deklarimet e Stankoviqit, e dimë të gjithë se arsimimi i shqiptarëve për te është një armë e jo një zgjidhje demokratike. Ai nuk më çuditi, por më çuditën liderët që heshtnin dhe buzëqeshnin me ironi dhe duke u kënaqur me kërcënimet e tij, se do të më pengoj në rrugën time të kombit tim. Buzëqeshja ironike e liderëve me Stankoviqin më kujtoi thënien e Faik Konicës -Ruaje Zot Shqipërinë nga Shqiptarët-".
“Le ta gjykojnë vetë lexuesit dhe ata që i shkojnë për lale një zyrtari të tillë, i cili në krye të këtij institucioni të lartë do të qëndroj edhe pak, ngase po flitet se së shpejti shef i Trupit Koordinues do të emërohet, një tjetër nga radhët e pushtetarëve beogradas”, përfundon deklarimin e tij të shkruar Kujtim Sadriu./Titulli.com/