Racizmi dhe ksenofobia i largojnë punëtorët e huaj nga Gjermania
Menaxheri Joerg Engelmann, tha se ai po bën gjithçka për të tërhequr punëtorë të kualifikuar nga jashtë për t’i punësuar në kompaninë e tij të inxhinierisë kimike në Kemnic, në lindje të Gjermanisë. Por, disa prej tyre u larguan nga ky qytet, pasi u përballën me sharje racore dhe përjashtim nga shoqëria.
Kompania e tij është një prej pesë kompanive gjermane që i thanë agjencisë Reuters se stafi i tyre i huaj së fundi janë larguar ose kanë ndryshuar vendndodhje për shkak të ksenofobisë, edhe në kohën kur ekonomia më e madhe në Evropë përballet me mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore.
Shumë kompani të mëdha në Gjermani dhe Holandë kanë shprehur shqetësime lidhur me vështirësitë e punësimit për shkak të ndjenjës kundër migrantëve. Disa punëdhënës shkuan edhe një hap më tej, duke thënë se ata po humbin punëtorë për këtë shkak.
CAC Engineering GmbH, kompani në pronësi të një familjeje që e udhëheq Engelmanni, ka humbur rreth pesë nga 40 punëtorët e huaj gjatë 12 muajve të fundit për shkak të diskriminimit, tha ai për Reuters. Kompania nuk pranoi të ofronte kontakte me punëtorët e saj të mëparshëm për agjencinë Reuters.
“Bëjmë çfarë të mundemi. Por, ne nuk mund të bëhemi truproje”, tha Engelmann, 57 vjeç. “Ka pjesë të popullatës që nuk e kuptojnë që këta janë punëtorë të huaj të kualifikuar që duan të japin kontribut të vërtetë në Gjermani”.
Kompania nuk dha më shumë detaje, por rastet e krimit të urrejtjes dhe ksenofobisë janë regjistruar në mbarë Gjermaninë dhe sipas Ministrisë së Brendshme, rastet janë trefishuar mes viteve 2013 dhe 2020, duke arritur në mbi 10.000.
Të dhënat zyrtare gjermane thonë se shteti si tërësi do të ketë një mungesë prej 7 milionë punëtorëve të kualifikuar deri në vitin 2035, krahasuar me fuqinë punëtore prej rreth 46 milionësh.
Klima është më e ashpër në lindje të Gjermanisë, ku pas rënies së komunizmit, mbylljet e fabrikave dhe largimet e punëtorëve nga puna shkaktuan një largim të të rinjve dhe rënies së natalitetit.
Kemnic, që gjendet në shtetin e Saksonisë në kufi me Çekinë, po tenton që të tërheqë punëtorë të kualifikuar. Kompania e Engelmannit tha se ka ndihmuar që të aranzhojë strehimin e përkohshëm të punëtorëve, t’u mundësojë kurse të gjuhës dhe të vozitjes dhe ka ndihmuar që të inkurajojë ata që të përshtaten në këtë qytet.
Por, Kemnici është bërë i famshëm për qëndrimet kundër migrantëve që nga viti 2018, kur një protestë e organizuar në qytet kundër migrantëve u shndërrua në trazirë.
I shkatërruar gjerësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, por i rindërtuar gjatë komunizimit, ky ishte ndër qytetet më të pasura të Gjermanisë në fund të shekullit 20.
Që nga ribashkimi më 1990, popullata e tij u tkurr me 20 për qind dhe tani është pak mbi 250.000. Numri i banorëve së huaj është rritur për pothuajse 14 për qind nga 2 për qind sa ishte në vitin 2000, sipas të dhënave të Institutit për Hulumtime Sociale dhe të Tregut në Kemnic.
Të hënën, më 25 mars, në orën 18:00 afër 250 persona marshuan përmes qytetit në demonstratën “e rregullt të së hënës”, protestë e promovuar nga një prej partive të ekstremit të djathtë, që ka çerekun e ulëseve në Këshillin e Qytetit. Në tubimin e së hënës, marshuesit kënduan këngë nacionaliste, valëvitën flamuj të Saksonisë, Gjermanisë dhe Rusisë.
Banori Farid Mokvil, 31 vjeç, egjiptian që shkoi në Gjermani për t’iu mësuar gjuhën gjermane të huajve, tha se në përgjithësi është i lumtur me jetesën në këtë qytet. Ai ka përjetuar shpesh racizëm, por tha se nuk e merr personalisht.
“Në javën e parë dola të blija gjëra ushqimore në një dyqan dhe një grua e moshuar vetëm më shikonte. Nuk jam i sigurt nëse ajo më shikonte vetëm për arsye se si dukem, por më pas ajo nisi të bërtiste”, tha ai. “Situata të tilla të çuditshme ndodhin... Disa ditë më parë, një djalë në tramvaj nisi të bërtiste: ‘këtu ka vetëm afganë që duan të vjedhin’”.
Christine Willauer, 84 vjeçe, një banore e kamotshme e Kemnicit, tha se mendon që azilkërkuesit në Gjermani vetëm përfitojnë ndihma financiare, të cilat të moshuarit nuk i gëzojnë.
“Kur jam në qytet, disa ditë ndihem se nuk ka shumë njerëz që flasin gjuhën time amtare. Po ashtu më mungojnë zakonet e vjetra”, tha ajo.
Zëdhënësi i qytetit, Matthias Nowak, tha se shumica e banorëve në Kemnic janë kundër ekstremizmit dhe shtoi se qyteti “do të shkatërrohej” pa migrantët – për shembull, 40 për qind e stafit në spitale janë të huaj.
“Migrimi i sërishëm”
Nxitësit e ndjenjave kundër migrantëve janë partitë politike, përfshirë AfD-në, e cila pritet të fitojë zgjedhjet shtetërore në tri rajone gjermane, që mbahen në shtator të këtij viti, përfshirë në Saksoni.
AfD-ja tha se dëshiron të ndryshojë migrimin masiv që ndodhi më 2015, të krijojë qendra për azilkërkuesit jashtë Bashkimit Evropian, të vendosë kontrolle të rrepta në kufijtë gjermanë, të sanksionojë migrantët që nuk integrohen plotësisht dhe të krijojë stimuj ekonomikë për migrantët që duan të kthehen në shtetet e tyre.
Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane, që tha se monitoron AfD-në nën dyshimet për ekstremizëm, tha se zyrtarët partiakë të AfD-së propagandojnë teori raciste sikurse “Zëvendësimi i Madh”, sipas së cilit, elitat politike qëllimshëm po projektojnë zëvendësimin e popullatës së bardhë të Evropës me migrantët jo të bardhë.
Dega e kësaj partie në Kemnic shpërndau një artikull në llogarinë në Facebook lidhur me një përdhunim të supozuar të kryer nga migrantët me titullin “zëvendësimi i popullsisë i bën gratë dhe vajzat të jenë lojë e drejtë”.
Në një postim, Ulrich Oehme, zëvendëskryetar i AfD-së në Kemnic, komentoi se “jeta e grave dhe vajzave tona është bërë më e vështirë në hapësirën publike dhe shqetësimet për përdhunimet në grup dhe sulmet me thika janë në rritje”.
Oehme i tha Reutersit se postimi i tij nuk ishte ksenofobik, por adresonte “çështjet që ndihen pasivisht nga popullata lokale”. AfD-ja, tha ai, është pajtuar me mendimin e tij, duke shtuar se “krimet e lidhura me migracionin vështirë luftohen sepse shpesh në to janë të përfshira struktura të një familjeje apo klani dhe për shkak të pengesave kulturore dhe gjuhësore”.
Pronarja e Facebook-ut, kompania Meta, nuk u përgjigj në kërkesën për koment.
AfD-ja tha se politikat e saj nuk po e dëmtojnë ekonominë.
“Këtu, Qeveria dhe kompanitë shtetërore qartësisht po shpërqendrojnë vëmendjen nga problemet që i shkaktojnë vet dhe po e përdorin AfD-në për t’ia hedhur fajin”, tha kjo parti për Reuters, duke shtuar se çmimet e larta të energjisë, të përkeqësuara nga largimi i prodhimit të rrymës përmes centraleve bërthamore dhe nxitja e burimeve të ripërtërishme.
Si e humbi shkëlqimin ekonomia "e artë" gjermane
Gjermanët të ndarë për mbylljen e tre reaktorëve të fundit bërthamorë
Por, udhëheqësit e korporatave në Gjermani përmes mediave shpalosën rreziqet nga ndjenjat kundër migrantëve, pas një raportimi që bëri portali, Correvtiv në janar. Sipas këtij hulumtimi, gjatë një takimi në Potsdam për mbledhjen e fondeve, u diskutua një “masterplan” për dëbimin e njerëzve me origjinë të huaj. Ky “masterplan” u quajt “migrimi i sërishëm”.
Pjesëmarrës në mbledhje ishin katër zyrtarë të lartë të AfD-së, mbledhja u organizua nga një grup i quajtur Duesseldorfer Forum, që tha se ftesa ishte për një “rrjet të udhëheqësve... personaliteteve që janë të gatshëm të japin kontribut të konsiderueshëm për ndaljen e shkatërrimit të shtetit tonë”.
Në një platformë online, të krijuar pas këtij takimi, organizatori Gernot Moering tha se migrimi i sërishëm ishte vetëm një nga temat për të cilat u diskutua. Ai nuk iu përgjigj kërkesës së Reutersit për koment.
Martin Sellner, udhëheqësi austriak i Lëvizjes për Identitet, që thotë se dëshiron të ruajë identitetin evropian dhe kundërshton migrimin nga jashtë kontinentit, i tha Reutersit se ai kishte folur gjatë takimit.
“Qytetarët e paasimiluar sikurse islamistët, gangsterët dhe mashtruesit duhet të detyrohen që të përshtaten përmes politikave të standardeve dhe asimilimit”, tha ai, duke shtuar se në këto politika bëjnë pjesë edhe stimujt për kthim vullnetar.
“Në terma afatgjatë, politika gjermane e migrimit të sërishëm vendos një kurs që Gjermania të bëhet më gjermane çdo ditë dhe kjo e kundërta”.
“Kryeqyteti i kulturës”
Klima e rënduar shkon përtej qytetit Kemnic dhe nuk prek vetëm njerëzit nga jashtë Evropës.
“Një nga punëtorët tonë të huaj u larguan nga Gjermania sepse tha se më nuk ndihet rehat dhe të sigurt këtu”, tha Detlef Neuhaus, udhëheqës i kompanisë SolarWatt, me seli në qytetin lindor gjerman të Dresdenit. Ai tha se punëtori u kthye në Angli.
“Këto janë pasoja të drejtpërdrejta të situatës në shtet”.
Edhe kjo kompani nuk pranoi të jepte kontakte të ish-punëtorit.
Kompania e teknologjisë, Community4you, me seli në Kemnic – që furnizon me softuer korporatat e mëdha sikurse Lufthansa, BMW dhe Commerzbank – tha se ka pasur punëtorë që janë larguar sepse nuk kanë ndierë se janë të mirë se ardhur.
Shefi operativ i kësaj kompanie, Lavinio Cerquetti, italian, u zhvendos në veriperëndim, Lajpcig më 2021, për shkak se atmosfera më aty nuk ishte kosmopolitane.
“Në Kemnic, nganjëherë më dukej se vetë fakti që duhej të isha më i hareshëm ishte për shkak se isha i huaj”, tha ai.
Kompania softuerike, FDTech, po ashtu me seli në Kemnic, ka humbur punëtorë për shkak të ksenofobisë, tha drejtori menaxhues i kompanisë, Karsten Schulze.
“Po, ne kemi problem me ksenofobinë. Ky problem nuk është i kufizuar vetëm në Saksoni, në Kemnic, është në mbarë Gjermaninë. Jo vetëm në Gjermani, por në mbarë Evropën”, tha ai.
Ekonomia gjermane u tkurr për 0.3 për qind më 2023, që ishte performanca më e dobët globale në mesin e shteteve më të mëdha.
Një sondazh i kryer më 2022 dhe 2023 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) vuri në pah se përderisa Gjermania mbetet vend atraktiv për punëtorët e huaj, diskriminimi paraqet problem.
Duke analizuar karrierën e 30.000 njerëzve me kualifikim të lartë që duan të shkojnë në Gjermani si punëtorë migrantë që nga gushti i vitit 2022, sondazhi gjeti se njerëzit që veçse ishin zhvendosur në Gjermani kishin përjetuar më shumë diskriminim krahasuar me pritjet para se të shkonin në këtë shtet.
Deniz Ates, 30 vjeç nga Eseni, që udhëheq agjencinë e rekrutimit, Who Moves, që fokusohet në punëtorët e huaj në sektorin e teknologjisë informative, tha se vërejti këtë në një ngjarje në Indi vitin e kaluar kur njerëzit shprehën shqetësime lidhur me situatën politike në Gjermani dhe disa nga ta thanë se ky shtet më nuk ishte opsion për ta.
“Faktori më kryesor që njerëzit të vendosin se ku të aplikojnë për punë është: A ndihem i sigurt? A ndihem i mirëpritur”, tha Ates.
Avokati Romy Kumar, me seli në Nju Delhi, tha se ka hequr dorë nga përpjekjet që të zhvendoset në Evropë, ku qëndron për disa muaj çdo vit, për shkak të rritjes së ksenofobisë.
“Kjo të kufizon që të blesh një biletë avioni e të zhvendosesh”, tha ai. “Prandaj, jam duke e marr shtruar dhe jam duke vlerësuar të gjithë situatën”.
Zëdhënësi i Kemnicit, Nowak, tha se janë rritur fondet për projektet kundër racizmit dhe prodemokracisë që nga viti 2018 dhe qyteti dëshiron të përdorë planet e tij për rolin që do të marrë më 2025, si Kryeqyteti evropian i Kulturës për të adresuar çështjen e racizmit.
Partitë e ekstremit të djathtë thanë se do të protestojnë kundër kësaj ideje. Partia Pro Kemnic tha se qyteti duhet të fokusohet që të jetë “kryeqytet i migrimit të sërishëm”.
“Mjaft kemi pasur këtë lloj kulture që ka qarkulluar në Gjermani që nga viti 2015. Ajo që duhet të bëni është të shikoni qendrën e qytetit”, tha kjo parti përmes një postimi në Telegram.