Qasja në dokumentet e rëndësisë publike e mundur në Bujanoc, kërkesa jo transparente (video)
Komuna e Bujanocit e ka të autorizuar personin i cili merret me menaxhimin e kërkesave të qytetarëve për qasje në dokumentet e rëndësisë publike mirëpo në ueb-faqen zyrtare nuk gjendet formulari përkatës.Kastriot Jakupi, personi përgjegjës brenda administratës komunale për dhënien e informatave me rëndësi publike gjatë bisedës për Titulli.com theksoi se ekzistojnë procedura për këtë çështje.
“Procedura e cila duhet të ndjekin qytetarët për të pasur qasje në çfarëdo lloji të informacioneve të rëndësisë publike fillon me një kërkesë me shkrim që qytetari duhet ta bëjë dhe ta dorëzoj atë në shkrestorën e administratës sonë”, tha Jakupi
Sipas tij afati i cili duhet të pres qytetari për marrjen e këtij lloji të informacionit apo koha e përgjigjes ndaj kërkesës është 15 ditë nga dita e marrjes së kërkesës.
Jakupi është shprehur se gjatë vitit 2017 ka pasur 13 kërkesa nga qytetarët dhe përgjigjet u janë kthyer me kohë.
“Një kërkesë ka qenë nga ana e mediave, 9 të tjera nga organizatat joqeveritare një nga partitë politike dhe dy kërkesa nga organet shtetërore”, deklaroi Jakupi.
Ai tha gjithashtu se të gjitha kërkesat edhe të vitit 2016 drejtuar administratës komunale për qasje në dokumentet e rëndësisë publike kanë marrë përgjigjen e duhur.
Formularin zyrtarë për qasje në dokumentet e rëndësisë publike qytetarët mundë të kërkojnë në qendrën e shërbimeve edhe pse do të duhet të jetë transparente në ueb-faqen e komunës dhe sportelet e administratës komunale.
“Në vitin 2016 në komunën e Bujanocit ka pasur 16 kërkesa dhe se të gjitha kanë marrë përgjigje në kohë rekorde ku dy nga këto kërkesa ka qenë nga persona fizik”, deklaroi për Titulli.com Jakupi.
Jakupi theksoi se komuna e Bujanocit në raportet e matjes së transparencës është renditur në nivel të mirë.
“Indeksi i matjes së transparencës së komunave në Republikën e Serbisë ka radhitur komunën e Bujanocit një ndër 10 komunat e para e cila ka treguar transparencë ndaj qytetarëve të saj ndërsa në rrethin e Pçinjës radhitet në vendin e dytë”, tha Kastriot Jakupi.
Komuna e Bujanocit edhe pse ka funksionale ueb-faqen zyrtare, transparenca mbetet në nivel jo të kënaqshëm dhe sipërfaqësore./Titulli.com/