Pse u besojmë lajmeve të rreme?
Në fakt lajmet e rreme dhe faktet mund të dallohen, por me sa duket jo nga të gjithë. Ka përdorues interneti që i marrin për të vërteta informacionet e gabuara dhe lajmet e rreme më shpejt se sa të tjerët. Por me çfarë ka të bëjë kjo?
Shtrembërimet kognitive na pengojnë të shohim qartë
Një koncept që përdoret gjithnjë e më shumë në lidhje me këtë çështje është ajo që në anglisht quhet "cognitive bias" (shtrembërime kongnitive). Cognitive bias janë tendencat e gabuara në mënyrën e të menduarit të njeriut, tendenca prej të cilave njeriu nuk mund të shkëputet kollaj.
Kur u besojmë gabimisht lajmeve të rreme, fake news,rol të madh luajnë ndër të tjera pikëpamjet tona, botëkuptimi ynë, të cilat quhet në disa artikuj shkencorë quhen edhe "partisanship” ose "confirmation bias”.
Psikologu i specializuar me psikologjinë kognitive, Stephan Lewandowsky, autor i artikujve të njohur shkencorë për këtë temë, e shpjegon kështu: "Kur dëgjoj diçka që dua ta dëgjoj sepse përputhet me idetë e mia politike, atëherë e besoj atë gjë edhe më shumë.” Pra ne vazhdimisht jemi tendenciozë. Kush për shembull beson se Gjermania pranon shumë refugjatë, ka prirje që të besojë lajmet që flasin për ngarkesën e madhe që ata i shkaktojnë komunave ose lajmet që flasin negativisht për këtë grup njerëzish.
Një "cognitive bias” tjetër ndodh kur i besojmë para kohe intuitës tonë. Na duket e panevojshme, dhe shpesh është edhe e bezdisshme që të kontrollojmë edhe një herë faktet para se ta besojmë një lajm, ta komentojmë dhe ta shpërndajmë atë. Kështu për shembull shumë lexuese dhe lexues lexojnë vetëm titujt e artikujve, dhe jo të gjithë artikullin.
Këtë gjë e kanë provuar për shembull faqja satirike e internetit, "The Science post” dhe radio publike "NPR” në SHBA, duke postuar në internet tituj jo të vërtetë. Pjesa më e madhe e lexueseve dhe lexuesve nuk e kuptuan që kishin të bënin me një shaka, sepse për ta kuptuar këtë duhet të klikonin në një link, gjë që pak vetë e bënë.
Negativja na tërheq më shumë
Edhe ajo që në anglisht quhet "Bandwagon Effect” dhe që ka të bëjë me tendencën e njeriut për të bërë diçka sepse e bëjnë edhe të tjerët, na çon në drejtim të gabuar: Shumë njerëz orientohen shpesh duke parë çfarë bëjnë të tjerët dhe nuk krijojnë vetë mendimin e tyre. Në lidhje me lajmet e rreme kjo do të thotë se ne i besojmë informacionet edhe sepse të tjerët bëjnë të njëjtën gjë.
Kur shohim një postim në social media që është shpërndarë shumë dhe ka marrë shumë likes, ne kemi prirje t'i besojmë inteligjencës së turmës. Sa keq që edhe të tjerët bëjnë të njëjtën gjë, siç e thamë që e shpërndajnë një lajm dhe klikojnë like, pa u konfrontuar vërtetë me përmbajtjen.
Truri ynë po ashtu nuk na ndihmon shumë, kur duhet që ta ruajë si duhet atë gjë që është parë ose është lexuar, gjë që quhet "Persistence of Inaccuracy” (Këmbëngulja e pasaktësisë). Shpesh ne nuk na kujtohet shumë mirë, nëse diçka ka qenë e vërtetë apo e gabuar. Jo rrallë njerëzit pretendojnë se një informacion i gabuar është i vërtetë, edhe kur ai korrigjohet më vonë në formën e një kontrolli faktesh, Faktenchecks.
Pavarësisht këtyre shtrembërimeve të realitetit, lajmet e rreme funksionojnë edhe sepse ne shpesh drejtohemi nga emocionet pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Fakti që lajmet e rreme përhapen gjashtë herë më shpejt se informacionet e vërteta, ka të bëjë me këtë emocionalitet, thotë Lewandowsky. "Dhe ne e dijmë që njerëzit ngacmohen më shumë nga informacionet që shkaktojnë ndjenja negative, si përshembull indinjimi.” Ky lloj lajmi i rremë ka shumë shance të shpërndahet në mënyrë virale.
Çështja nganjëherë është nëse diçka na hyn në punë apo jo
Një studim i Universitetit të Vyrzburgut (Würzburg) bërë vitin e kaluar me 600 pjesëmarrës që gjykuan për përmbajtjen e vërtetë të deklarimeve të ndryshme, ka nxjerrë se tiparet e errëta të personalitetit dhe të ashtuquajturat bindje epistemike pas së vërtetës na bëjnë që t'i besojmë më shumë lajmet e rreme.
Në një intervistë për Deutsche Wellen autori kryesor i studimit, psikologu Jan Philipp Rudloff shpjegon: "Për të mësuar për bindjet e pjesëmarrësve në lidhje me dijet dhe faktet ne bëmë pyetjen: A i besoni intuitës kur lexoni ose dëgjoni një informacion? Sa i vlerësoni dëshmitë? A besoni se ekziston mundësia që faktet të jenë të pavarura?"
Vlerësimi i përgjigjeve nxori në pah se pjesëmarrësit në studim e kanë të vështirë të dallojnë pohimet e vërteta nga pohimet e gabuara, kur i besojnë më shumë intuitës dhe më pak ekzistencës së fakteve.
"Dhe më pas ne hodhëm sytë tek "faktorët e errët të personalitetit”, si të thuash në bërthamën e gjithë karakteristikave të errëta të personalitetit si përshembull tek narcisizmi ose psikopatia”, thotë Rudloff. "Ato quhen të errëta sepse kanë të bëjnë me sjellje të cilat shoqëria nuk i vlerëson mirë.”
Për njerëzit me shumë faktor të errët personaliteti më e rëndësishmja është përfitimi personal. Çdo gjë tjetër, edhe e vërteta në raste të caktuara, ka më pak rëndësi se përfitimi personal.
"Atëhere pyetja që bëhet nuk është nëse një informacion është i vërtetë apo jo, por nëse hyn në punë, nëse luan rol në lojë, nëse shërben si justifikim.” Karakteristikat e errëta të personalitetit dhe kuptimi problematik i dijeve dhe fakteve, janë sipas Rudloffit janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe manifestohen herët gjatë jetës.
Dëshira për të tërhequr vëmendjen dhe për t'u pëlqyer nga të tjerët
Për një aspekt tjetër që ndikon në përhapjen e lajmeve të rreme, flet studiuesi amerikan i shkencave të komunikimit, Joe Walther. Tek klikimet like, komentet dhe shpërndarjet e informacioneve në internet ai sheh para së gjithash një interaksion social: "Njerëzit janë aktivë në rrjetet sociale për të pasur ndjenjën se janë diçka, për të tërhequr vëmendjen dhe për tu njohur nga të tjerët.”
Drejtori i "Qendrës për teknologjinë informative dhe shoqërinë”, "Center for Information Technology and Society" në Universitetin e Kalifornisë jep këtë shembull: "Unë mund të shpërndaj lajmin që shkenca ka zbuluar se njerëzit e vegjël i besojnë më shumë lajmet e rreme se sa të mëdhenjtë. Jo sepse i besoj kësaj gjëje, por sepse mendoj se do ju pëlqente dhe e vlerësonit që ju them këtë histori të çmendur dhe qesharake.”
Ky shembull bën njëkohësisht të qartë se përdoruesit e internetit shpesh shpërndajnë lajme të rremejo sepse u besojnë atyre. Por sepse duan të argëtohen vetë dhe të argëtojnë edhe të tjerët. Ose shpërndajnë përmbajtje të caktuara, pikërisht sepse nuk janë të vërteta.
Vështrim: Çfarë duhet të bëjmë?
Arsyet pra pse lajmet e rreme besohen janë komplekse. Ato kanë ndër të tjera të bëjnë me personalitetin tonë dhe qëndrimin kundrejt fakteve dhe dijeve. Por edhe sepse lajmet e rreme janë një mjet interesant për të vendosur kontakt me të tjerët dhe për të tërhequr vëmendjen dhe për tu pëlqyer nga të tjerët. Ekzistojnë mekanizma të ndryshme kognitive, që shtrembërojnë perceptimin tonë.
Pyetja është: Si mund të bëhemi më rezistentë? Një nga hapat e parë është mbase të bëhemi të vetëdijshëm për subjektivitetin dhe manipulueshmërinë tonë. Jan Rudloff kërkon që nxënësve dhe studentëve tu jepen më shumë metadije që kanë lidhje me faktet dhe shkencën.
"Në fund të fundit në shkencë gjithnjë ndodh që të gjendet një konsens, të bihet në marrëveshje midis sa më shumë ekspertëve të jetë e mundur. Por sapo të vijë një informacion i ri, ajo që më parë është vlerësuar si fakt ose konsens, rrëzohet.”
Kjo është shumë komplekse dhe disa vetë kanë krijuar përshtypjen se faktet janë vendosur nga "elitat”. Kështu për shembull gjatë pandemisë së Coronës u tha se COVID-19 nuk i zë fëmijët, por më vonë papritur u tha se po.
Një qasje që shkon në drejtim të ngjashëm është e ashtuquajtura "Prebunking”, kontroll i thashethemeve. Përdorueset dhe përdoruesit e internetit duhet të sensibilizohen duke u informuar për lajmet e rreme dhe dizinformimin që para se të bien në kontakt me to. Për shembull, para zhvillimit të zgjedhjeve kur pritet të ketë shumë lajme të gabuara për të manipuluar zgjedhëset dhe zgjedhësit, do t'ia vlente të zhvillohej një fushatë e tillë informimi./DW/