presidenti i Ukrainës Zelensky nga Tirana: Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar Ballkanin
Rajoni dhe Politika

presidenti i Ukrainës Zelensky nga Tirana: Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar Ballkanin

28.Feb.2024 16:08
0

Vazhdimi i ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe paralajmërime për rrezik në Ballkanin Perëndimor nga Rusia, ishin mesazhet kyçe që u përcollën pas Samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që u mbajt më 28 shkurt në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Në samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së bashku me disa liderë të tjerë të Evropës Juglindore.

Pas samitit, Zelensky paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

“Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, tha Zelenksy gjatë një konference të përbashkët për media me Ramën.

“Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që i ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika tjera”, shtoi ai.

 

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

“Ajo çfarë po ndodh atje [Ukrainë] mund të përsëritet në mënyra të ndryshme”, tha Rama.

Sipas Ramës, lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundshme mund të duhet dhe që “nuk duhet luajtur me zjarrin”.

"Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”.

Gjatë konferencës për media, Rama bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. Ai tha se ndihma për Ukrainën nuk duhet të përdoret për politika të brendshme nga shtete të ndryshme.

Rama tha se është e vetëdijshëm që shtetet sikurse Shqipëria, nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, andaj ai u bëri thirrje shteteve të mëdha dhe të pasura që të ndihmojnë Kievin.

Sipas tij, pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen “nuk është vetëm cinike, por edhe absurde sepse ju nuk ndalin luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin”.

“Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohen me të gjitha mjetet e nevojshme për të rezistuar dhe të sigurohet që çdo paqe që do të dalë nga kjo luftë do jetë paqe e drejtë, e mbështetur para së gjithash në planin 10 pikësh të Zelenskyt, të cilin e mbështesim dhe duam të diskutohet nga të gjitha shtetet”, tha Rama gjatë konferencës për media me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zelensky po ashtu kërkoi që të bëhet gjithçka në mënyrë që të mos ketë vonesa në dërgimin e armëve, teksa shteti i tij varet shumë nga ndihma që i ofrojnë aleatët perëndimorë për t’u përballur me forcat ruse.

“Sa më shumë që [presidenti rus, Vladimir] Putini sheh mungesat tona, aq më shumë mund të mendojë që mund të sfidojë Evropën dhe Perëndimin. Ne na duhet që të ketë më shumë besim në botën demokratike, më shumë besim në përpjekjet tona”, tha ai.

Kryeministri shqiptar tha se të gjitha institucionet dhe popullata e Shqipërisë e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën "pa asnjë lëkundje".

Çfarë u tha gjatë samitit?

Liderët nga Ballkani Perëndimor dhe disa shtete të Evropës Juglindore diskutuan në samit për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Ukrainës kundër pushtimit rus.

Samiti u mbajt prapa dyerve të mbyllura dhe vetëm pjesa e fjalimeve fillestare ishte e hapur për publikun.

Në samit është diskutuar për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Zelenksy tha se Putin po përdor diktate të shkuarës për të bërë që shtetet të veprojnë siç do ai.

Sipas udhëheqësit ukrainas, Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.

“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Evropës Juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai tha se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.

“BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha ai.

Duke folur për mbrojtjen, Zelensky tha se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçmas në fushën e bashkëprodhimit të municioneve.

“Ne shohim se problemet me municion po ndikojnë në situatën në fushëbetejë [në Ukrainë]. Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim ne ju dhe me të gjithë parnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forum të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev, apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”, tha ai.

 

Në fjalën hyrëse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Putin nisin luftën e paprovokuar ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, sepse ai ishte “i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”.

“Prania juaj këtu është përkujtues se ai ka dështuar, pavarësisht fuqisë ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste ka dështuar të shtypë Qeverinë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ka dështuar të shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën”, tha Rama gjatë samitit.

Rama dhe Zelensky duke pritur liderët që po marrin pjesë në samitin në Tiranë.
Rama dhe Zelensky duke pritur liderët që po marrin pjesë në samitin në Tiranë.

Çfarë përmban deklarata e Samitit për Ukrainën?

Në fund të samitit, pjesëmarrësit miratuan një deklaratë prej 12 pikash, përmes së cilës thanë se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe është në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe është krim kundër popullit ukrainas.

Shtetet pjesëmarrëse u zotuan se do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën që ajo të triumfojë në luftën kundër Ukrainës. Ata dënuan përpjekjet e Rusisë për të mbajtur zgjedhjet presidenciale ruse në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës “që paraqesin shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Në deklaratë u tha po ashtu se lufta në Ukrainë është tregues se sa i rëndësishëm është uniteti, dhe një Evropë e fortë “që është në gjendje të përballet me sfidat botërore për paqe dhe prosperitet për njerëzit tanë”.

Liderët po ashtu riafirmuan përpjekjet për përparim të mëtejmë të integrimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur vetë aranzhimet e sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe shtetet aspiruese lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit në të ardhmen në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e aleancës sapo të lejojnë kushtet e sigurisë”, u tha në deklaratë.

 

Në këtë deklaratë nuk u përmendën sanksionet ndaj Rusisë. Para publikimit të deklaratës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se sanksionet nuk janë përmendur në deklaratë me kërkesë të Serbisë.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë... Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione, nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për gazetarë.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por ka përkrahur rezoluta në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.

Osmani e bindur në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina

Në samit morën edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para nisjes së samitit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.

Ajo u pyet se nëse do të kërkojë nga presidenti Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri”, tha Osmani.

“Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani gjatë arritjes në Samitin për Ukrainën.
Presidentja Osmani gjatë arritjes në Samitin për Ukrainën.

Rama e Zelensky me traktat miqësie

Para samitit, Zelensky, i cili arriti në Tiranë pak para mesnatës së 28 shkurtit, gjatë ditës zhvilloi një takim me Ramën.

Po ashtu, delegacionet e të dyja shteteve zhvilluan një takim në ambientet e Krymeministrisë shqiptare.

Takimet para samitit u përmbyllën me nënshkrimin nga Rama dhe Zelensky të Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.

"Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë", u tha në një njoftim nga Qeveria shqiptare./REL/

 
copy(/home/titulli/public_html/images/image/elensky-rama-tirane.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Presidenti ukrainas, Zelensky mbërrin në Kryeministri, e pret Rama (video)
Kamberi bashkëbisedim me gazetarë për takimin me Vuçiq (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration