PD feston, Jonuzi si shkon?!
Partia Demokratike në Bujanoc, njëherit subjekti më i ri shqiptarë në këtë komunë, të premten ka shënuar tre vjetorin e themelimit në manifestimin e mbajtur në restorant “Rozafa”.
Për të përshëndetur simpatizantët e këtij subjekti politik fjalën e mori kryetari Nagip Arifi, ku më pas elaboroi për të arriturat e këtij subjekti brenda kësaj periudhe veprimi.
Në këtë jubilar morën pjesë udhëheqës të subjekteve politike dhe institucionale nga Presheva, si Ragmi Mustafa kryetar komune dhe i PDSH-së, Skender Destani zëvendëskryetar dhe kryetar i BDL-së, si dhe Rahmi Zylfiu kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar.
Në këtë tre vjetor ajo që ra në sy ishte mungesa e kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), Jonuz Musliut, partnerit kryesor në koalicion me Arifin, i cili siç ka mësuar portali informativ Titulli edhe pse ishte i ftuar kishte refuzuar të marrë pjesë, duke deleguar dy anëtarë të tjerë të rangut më të ultë (Adnan Salihu dhe Megzon Ismaili) se sa udhëheqësia që erdhi nga komuna e Preshevës.
Titulli ka mësuar se mospërfillja e ftesës nga ana e kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik Jonuz Musliut lidhet ngushtë edhe me pakënaqësitë në koalicionin qeverisës, për të cilat ky medium kishte raportuar edhe më herët.
Gjithashtu vlen theksuar se LPD gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Forumin Rinor të PD-së, ftesës së subjektit më të ri politik shqiptar i është përgjigjur me pjesëmarrës me kompetenca më të vogla edhe pse këtë nuk e kishte pritur subjekti që mbante zgjedhjet.
Vlen përmendur se Partisë Demokratike të Nagip Arifit sot i është bashkuar ish kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së për Bujanoc, Edmond Isufi.
Nga ana tjetër PD në gjirin e saj, që nga themelimi ka humbur një numër të konsiderueshëm të anëtarëve, të cilët si me anonimitet por edhe haptas kanë shprehur pakënaqësitë rreth mënyrës së qeverisjes së këtij subjekti me komunën e Bujanocit./Titulli.com/