Në Viti mbahet orë letrare në manifestimin "Flakadani i Karadakut"
Mbështetur nga Departamenti i Kulturës pranë Kuvendit Komunal të Vitisë dhe kryetari i komunës, Sokol Haliti u mbajt orë letrare.Këtë manifestim e shpalli të hapur drejtoresha për kulturë Kaltrina Sulejmani, e cila iu dëshiroi mirëseardhje poetëve të pranishëm, duke theksuar se edhe kjo pjesë e Flakadanit të Karadakut e ka peshën e vet, sepse poetët me poezitë e tyre i nderojnë luftëtarët e lirisë dhe manifestimin në fjalë.
Orën e madhe letrare e udhëhoqi poeti Sarë Gjergji, duke iu dhënë mundësi të lexojnë poetëve të të gjitha trevave shqiptare. Në këtë orë letrare lexuan 22 poetë, të cilët para të pranishmëve me poezitë e tyre sollën risi me larushi motivuese.
Nga Lugina e Preshevës me ftesë të organizatorit morën pjesë dhe lexuan Bilall Maliqi, Demush Berisha dhe Rexhep Abazi.
Ora letrare kishte karakterin garues. Juria profesionale për vlerësimin e poezive e përbërë nga poetët Sabit Rrustemi, Burhanedin Xhemaili dhe Bilall Maliqi, i vlerësuan tri poezitë më të mira të orës letrare.
Çmimi i parë i takoi poetit dhe studiuesit Ramadan Musliu, çmimi i dytë krijueses Kaltrinë Lohaj dhe çmimi i tretë poetit Jonuz Fetahaj.
Në këtë Manifestim nga drejtoria për kulturë e Vitisë, me vepër jetësore u nderua poetja, humanistja e njohur Flora Brovina.
Edicioni i XV-të i Manifestimit „Flakadani i Karadakut „ vazhdon me aktivitete të tjera edhe në dy ditët në vijim./Titulli.com/