Në Bujanoc me protestë kërkohen librat shqip (video)
Me moton "Duam libra shqip, duam abetaren time", në organizim të studentëve të Luginës së Preshevës, është mbajtur në Bujanoc protesta e nxënësve shqiptarë në shenjë revolte për bllokimin e librave shkollorë për më se dy muaj nga autoritetet qeveritare serbe.Marshi protestues ka filluar nga Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, drejt qendrës së qytetit, me ç’rast protestës iu janë bashkuar qytetarë të shumtë. Kërkesa e protestuesve ishte që librat shkollore të iu dorëzohen nxënësve shqiptarë të cilët ende vazhdojnë mësimin me metodat klasike të diktimit.
Protestën e kanë përkrahur edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtarë Shqiptarë. Ndërkohë që u përcjell nga një numër i konsiderueshëm i forcave serbe të sigurisë.
Pas qëndrimit disa minutash në sheshin e qytetit, protestuesit u shpërndan të qetë, ndërkohë që nuk u regjistrua ndonjë incident.
Ndryshe, për më se dy muaj më se 100 mijë ekzemplarë shkollorë po mbahen të bllokuar nga autoritetet serbe, në trerminalin doganorë në Preshevë. Tekstet mësimorë janë dhuruara nga Ministria kosovare e Arsimit, ndërkohë që ato i ka sjellë Këshilli Nacional Shqiptarë.
Protesta e sotme është e katërta me radhë që nga ndalesa e librave, ndërsa ka paralajmërime edhe për organizime të tjera në shenjë revolte për injorimin e kërkesës së vazhdueshme për lirimin librave nga autoritetet serbe.