Një vit nga marrëveshja Kosovë-Serbi: “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”
Rajoni dhe Politika

Një vit nga marrëveshja Kosovë-Serbi: “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

27.Feb.2024 08:45
0

Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e arritën një vit më parë në Bruksel.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, do të duhej t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve - nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, ajo që ndodhi në terren gjatë vitit të kaluar, ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb...

 

Pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe serb, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut, thonë se janë të zhgënjyer nga politikanët, prej të cilëve varet jetesa e tyre, dhe se kanë humbur shpresën “për një të nesërme më të mirë”.

Edhe një anketë e organizatës joqeveritare Aktiv për qëndrimet e komunitetit serb, e cila u prezantua më 26 shkurt, tregon se ekziston “një shqetësim i thellë dhe një pakënaqësi e madhe e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, lidhur me situatën aktuale politike”.

“Ka një shkallë më të madhe pesimizmi krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme, si pasojë e frikës në rritje për një konflikt të mundshëm të hapur”, është gjetja kryesore e organizatës me seli në veri të Kosovës.

 

Qeveria e Kosovës dhe Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse janë të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Prishtina, thotë se Kosova dhe Serbia kanë treguar se nuk kanë vullnet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, e cila konsiderohet “bazë pozitive për normalizimin e marrëdhënieve” dhe “paraqet mundësi për përparim cilësor”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Naim Leo Beshiri, nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane, thotë se Kurti dhe Vuçiq janë dakord në planin ndërkombëtar, por se “bëjnë gjithçka për ta sabotuar marrëveshjen në nivel lokal”.

Çfarë ndodhi me marrëveshjen?

Njëzet ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 - që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” - në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Pikat kryesore të marrëveshjes dhe aneks-dokumentit

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aneksi i zbatimit specifikon se të gjitha nenet e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, se Kosova dhe Serbia nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni dhe se mosrespektimi i detyrimeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Palët, po ashtu, është dashur që brenda 30 ditësh të themelojnë një komision të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, të kryesuar nga BE-ja.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë shprehën vazhdimisht qëndrime që lanë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj.

Në mes të janarit të këtij viti, ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë i paraqitën Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili u hartua nga BE-ja dhe të cilin palët thanë se e pranojnë.

 

Vuçiq, në anën tjetër, përsërit vazhdimisht se Serbia nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër BE-së, ku shprehu rezerva ndaj detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë edhe aneks-dokumentin e zbatimit.

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

 

Çfarë ndodhi në terren?

Nga të gjitha pikat e marrëveshjes, deri më tash, u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Në maj të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiq miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, me të cilën palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

 

Dy palët i njohën, po ashtu, targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me afishe të bardha derisa lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas.

Por, çështja e targave shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës, për shkak të insistimit të Qeverisë që makinat me targa serbe të riregjistrohen me targa të Kosovës.

Për pasojë, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022. Por, në fund të vitit 2023, qytetarët i zëvendësuan targat, ashtu siç kërkoi Qeveria e Kosovës.

 

Kalimi në targa të Kosovës ndodhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë - fshat në veri të Kosovës. Grupe të armatosura serbësh sulmuan atje policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e akuzoi Beogradin për këtë sulm, por zyrtarët atje mohuan se kanë gisht.

Përgjegjësinë e mori në fund Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

 

Më herët, përkatësisht në prill të vitit të kaluar, serbët në veri të Kosovës i bojkotuan zgjedhjet lokale, të cilat rezultuan me ardhjen e kryetarëve shqiptarë në pushtet.

Situata u përshkallëzua në fund të majit, kur një grup serbësh që kundërshtonte kryetarët shqiptarë, u përlesh me pjesëtarë të KFOR-it.

Bashkimi Evropian e bëri përgjegjëse Kosovën për këto tensione dhe pasi ajo nuk iu përgjigj thirrjeve për shtensionimin e situatës, BE-ja ndërmori masa ndëshkuese kundër saj.

Tani, bashkësia ndërkombëtare paralajmëron sërish tensione të mundshme etnike, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta hequr nga qarkullimi dinarin serb.

Në këtë valutë, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga Serbia, si: paga, pensione dhe shtesa për fëmijë.

 

Çfarë thonë qytetarët?

Dushanka Kragoviq nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se priste që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve t’u sillte përfitime qytetarëve, por se nuk është më optimiste.

“Nuk e di... Deri më tani kam shpresuar se do të përmirësohet, por tani asgjë”, thotë ajo.

Ajo shton se situata po përkeqësohet dhe tregon se nuk mund të marrë më pension nga buxheti i Serbisë.

“Shpresoja se diçka do të përmirësohej, por asgjë. Jam vërtet e zhgënjyer. Unë jetoj sot për nesër”, thotë ajo.

 

Sllavkoja thotë se qytetarët nuk e dinë se për çfarë po negociojnë politikanët, por, sipas tij, ata e dinë se nuk po jetojnë më mirë.

“Kështu nuk ka qenë kurrë... nuk kemi përparim, as rinia nuk mund të punojë, as punë nuk ka. Jemi mbyllur këtu. Nuk e marrim dot as pensionin”, thotë ai.

Ali Rexha nga Mitrovica e Jugut thotë se nuk ka pasur përparim në terren gjatë vitit të fundit dhe se qytetarët nuk ndjejnë ndonjë rezultat pozitiv të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nuk e di, për Zotin. Të gjithë janë bërë të mërzitshëm. Ne duam që të gjithë të jenë mirë, por politika...”, thotë ai.

Sipas tij, është i nevojshëm një kompromis që serbët dhe shqiptarët të jetojnë në paqe.

Shpejtim Morina beson se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të normalizoheshin nëse do të nënshkruhej marrëveshja përfundimtare.

“Nuk është edhe aq keq tani, por ne kemi nevojë për njohje reciproke”, thotë ai.

Muhaxhiri: Marrëveshja mund të zbatohet vetëm me presion

Sociologu dhe analisti Artan Muhaxhiri thotë se marrëveshja e vitit të kaluar u arrit “me shumë investime dhe vështirësi” dhe se u besua se palët do të jenë “mjaft të zgjuara” për të përfituar prej saj.

“Megjithatë, realiteti ynë i ashpër politik jovizionar e ka transformuar atë në diçka krejt tjetër - një shenjë të mosgatishmërisë për të ecur përpara dhe simbol të ndërlikimeve ekstreme të dialogut”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Muhaxhiri thotë se marrëveshja mund të zbatohet në kapacitetin e saj të plotë vetëm “me presion të madh dhe të vazhdueshëm” nga SHBA-ja dhe BE-ja.

 

Sipas tij, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë zgjodhën ta “bllokojnë” marrëveshjen përmes qëndrimeve populiste, porse në fund do të duhet të pranojnë gjithçka që refuzojnë.

“Marrëveshja është përgatitur, hartuar, planifikuar, vlerësuar për shumë muaj. Versioni përfundimtar i saj synon ta strukturojë më qartë dhe ta pozicionojë në mënyrë institucionale pozitën e pakicës serbe në Kosovë, pasi të jetë rënë dakord për një formë dhe model kreativ të njohjes nga Serbia”, thotë Muhaxhiri.

Beshiri: Kurti dhe Vuçiq pa vizion pajtimi

Naim Leo Beshiri, nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane, vlerëson se Bashkimi Evropian ka bërë gjithçka që ka mundur për të sjellë në tryezën e bisedimeve dy palë me pikëpamje jashtëzakonisht të kundërta, por se Kurti dhe Vuçiq, sipas tij, nuk kanë vizion se si t’i afrojnë dy popujt.

Sipas tij, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur shkurtin e kaluar, është marrëveshja më e mirë “që pala serbe mund ta bëjë”.

Ai, gjithashtu, beson se Vuçiq duhet t’u thotë qartë qytetarëve të Serbisë se nuk ka më asnjë autoritet në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë më rritje të tensioneve etnike dhe sulme si ai në Banjskë.

 

“Në anën tjetër, fakti që kryeministri Kurti kërkon nënshkrim dhe vulë, tregon se ai, realisht, nuk dëshiron ta integrojë minoritetin serb brenda institucioneve të tij. Për të janë të pranueshëm vetëm serbët që e shohin të ardhmen e Kosovës me sytë e tij”, thotë Beshiri.

Ai, po ashtu, e konsideron shqetësues faktin se Kurti nuk konsultohet me askënd për shumicën e vendimeve që, siç thotë, kanë ndikim në komunitetin serb.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përgatiti: Valona Tela-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/urti-borrel-vucici.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Arifi kritikon takimin Kamberi-Vuçiq në Beograd
Tiranë: Delegacioni i Aleancës për Luginën pritet nga Ministri i jashtëm shqiptar
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration