Nisin punët për transferstacionin e mbeturinave (Foto)
Kanë nisur punimet për ndërtimin transferstacionit të mbeturinave në Bujanoc, projekt me vlerë të 105 milion dinarë.
Ky projekt i shumëpritur i cili duhet të realizohet brenda këtij viti, sipas kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, është i pari i llojit të vet në rrethin e Pçinjës dhe Jablanicës, i cili njëherit shërben edhe për riciklimin e mbeturinave.
Për fazën e parë janë siguruar 20 milion dinarë nga Trupi Koordinues, po aq edhe nga Komuna e Bujanocit, raporton Titulli.com.
Financimin e projekt dokumentacionit e ka bërë Bashkimi Evropian, ndërsa pritet që komuna, për fazën e dytë, të kërkojë mjete edhe nga Progresi Evropian.
Punimet e transferstacionit do t’i kryejë kompania “Saba Bellça” nga Presheva. Sipas Dalibor Mlladenoviq, shef i ndërtimit, kjo kompani ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për ndërtimin e transferstacionit të mbeturinave.
Punimet në fazën e parë duhet të përfundojnë brenda një afati prej 120 ditëve, ndërsa pritet që në këtë deponi ricikluese të gjejnë punë 20 qytetarë. /Titulli.com/