Në teatrin Oda shfaqet “Zjarri i ilegales”, ngjarje që tregon rezistencën e shqiptarëve ndër vite
Nën tingujt e ‘Rrjedhë në këngë e ligjërime’ nga zëri kumbues i Vaçe Zelës, në skenën e Teatrit Oda zuri vend një ngjarje që historisë së vendit tonë i dha kthesën më të madhe.
Bëhet fjalë për ngjarjet e vitit 1968, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe disa të rinj patriot që ishin pjesë e Organizatës Ilegale për çlirimin e Kosovës nga okupimi Jugosllav po bëheshin bashkë kundër këtij sistemi që i kishte rrënjët thellë në Kosovë e që e vetmja mënyrë për t’i shkëputur ato rrënjë, ishte rezistenca, shkruan KultPlus.
‘Zjarri i ilegales’ nën regjinë dhe skenarin e Lirak Çelaj, solli para publikut një rrëfim të ndjeshëm e tejet të rëndësishëm që ndahej në tre periudha dhe jetësohej në tre gjenerata. Kosova si pjesë e Jugosllavisë, Kosova në demonstratat e vitit 1981, Kosova në luftën e saj të fundit dhe pas luftës. Ngjarje këto që ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.
Mirëpo, ajo çfarë e bënte më të fuqishëm mesazhin e kësaj shfaqjeje, ishte pyetja: Çka nëse?! Çka nëse rezistenca e shqiptarëve nuk do të ndodhte? -Çka do të ndodhte pa atë grup njerëzish që kanë mbajtur gjallë zjarrin e rezistencës?!Regjisori Lirak Çelaj, ka treguar se komplet realizimi i kësaj shfaqjeje ka zgjatur pak më shumë se që është paraparë si pasojë e situatës pandemike dhe poashtu edhe për shkak të vdekjes së Ukshin Krasniqit, pasi ky i fundit ishte edhe kryetekniku në Teatrin Oda.“Brezat e rijnë edhe ne që e kemi përjetuar kemi filluar të harrojmë dhe nganjëherë po shfryjmë vrerë në shtetin tonë duke harruar për sakrificat dhe ato që kemi përjetuar në të kaluarën. Kam tentuar t’ua risjell në kujtesë të gjithëve se ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, ka theksuar Çelaj ‘Zjarri i ilegales’ që për këtë vit shënoi premierën e parë të Teatrit Oda, erdhi dhe si dedikim për dy humbjet e mëdha të këtij teatri. Atë të Ukshin Krasniqit dhe Etrit Mehmetit. Një humbje që preku të gjithë ata që i njohën, e veçanërisht ata që punuan në këtë shfaqje.
‘Vdekja e tij na ka prekë shumë, pasi ai ka qenë dashtë me qenë atje lart e të na ndriçoj neve këtu poshtë’, theksoi aktorja Blerta Gubetini për KultPlus. Gubetini ndër të tjera, deklaroi se për rolin e Dritës, ka punuar me shumë mund, vullnet e gëzim dhe se nga gjithë ato duartrokitje ajo ka përjetuar emocione të mëdha.
‘Zjarri i ilegales’ bëri bashkë aktorët si: Allmir Suhodolli, Blend Sadiku, Blerta Gubetini, Florent Salihu dhe Gentrit Shala, të cilët me një lojë të jashtëzakonshme të artit skenik, përçuan emocione të mëdha tek publiku, duke bërë që shumica prej tyre të linin sallën me lot në sy e me duartrokitje që nuk u ndalën për minuta të tërë. Një ngjarje që secilin e ktheu pas në kohë, duke rikujtuar kështu edhe njëherë se kush ishim ne si popull dhe sa shumë sakrifikuam e humbëm për të gëzuar lirinë.
‘Zjarri i ilegales’ do të jetë për një kohë të gjatë në repertorin e Teatrit Oda dhe do të shfaqet çdo të enjte, nga ora 19:00.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/): failed to open stream: No such file or directory