Lokale
Në Bujanoc hapet Panairi Ndërkombëtarë dhe festohet dita e Evropës (foto)
Komuna e Bujanocit gjatë ditës së sotme ka qenë në festë duke shënuar ditën e komunës, ditën e evropës dhe ka hapur panairin ndërkombëtarë të bujqësisë dhe investimeve potenciale. Ky manifestim është përcjellë me mysafirë nga vendi ,rajoni dhe ambasadorë të shteteve evropiane të akredituar në Beograd.
Panairi ndërkombëtarë i bujqësisë dhe investimeve potenciale në Bujanoc, kishte tubuar biznese të ndryshme lokale dhe rajonale të cilët po promovojnë prodhimet e tyre.
Arifi duke ju drejtuar masës para hapjes së panairit falënderoi përkrahjen e ambasadës së Austrisë dhe gjithë të tjerëve.
“Ekonomia nuk njeh kufi, dhe ne sot kishim një takim të përbashkët me përfaqësues të odave të rajonit dhe se qëllimi i panairit është që njerëzit të njihen me planin për zhvillim ekonomik”, tha Arifi.
“Austria është investitori më i madh në Serbi, krijimi i një ambienti të volitshëm për zhvillim të biznesit është fusha në të cilën investojmë andaj i dëshirojmë suksese edhe komunës së Bujanocit në këtë drejtim”, deklaroi ambasadori i Austrisë në Beograd Johanes Eigner, raporton Titulli.
Kryetari i Odës Ekonomike Rajonale të Leskocit, Goran Joviq deklaroi se panairet janë mundësi e mirë e promovimit dhe zhvillimit të biznesit dhe se ne zyra e tij do të jetë në shërbim të bizneseve.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Republikës së Shqipërisë, Brunilda Paskali përshëndeti panairin duke e vlerësuar si një hap të mirë drejt zhvillimit ekonomik të shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës , Agim Shahini tha se nuk duhet ekzistuar barrierat mes rajonit për zhvillim ekonomik andaj duhet krijuar mundësi për shkëmbimet e mallrave dhe investimet potenciale.
Në Panairin Ndërkombëtarë të Bujqësisë dhe Potencialeve Investive sipas organizatorëve kanë prezantuar mbi 50 biznese gjatë ditë së parë.
Zëvendës drejtori i Odës Ekonomikë të Maqedonisë Veriperëndimore, Nazmi Ejupi është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin mes institucionit të tij dhe komunës së Bujanocit, që po ja mundëson bizneseve nga Maqedonia promovimin e tyre në këtë panair.
Xhelal Hasani nga Agjensioni për Zhvillim për Bujanoc e Preshevë ka dhënë kontribut në organizimin dhe promovimin e panarit dhe do të kontaktojë me prezantuesit e bizneseve të pranishëm në këtë panair.
Qytetarët e interesuar do të mundë të vizitojnë panairin deri më 11 maj, stendat janë të vendosura në sallën e qendrës sportive “Rinia” në Bujanoc dhe organizatorët kanë paralajmëruar se do të ekspozohen mbi 200 biznese nga vendi dhe rajoni./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!