MPJD: Serbia ia refuzoi ministrit Sveçla vizitën në Luginën e Preshevës
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka njoftuar se ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i është refuzuar kërkesa për lejimin e vizitës së tij zyrtare në Luginë të Preshevës, nga ana e Qeverisë së Serbisë.
Sipas njoftimit të MPJD, ministri Sveçla kishte paralajmëruar më 23.12.2024 dhe 24.12.2024 vizitë zyrtare njëditore në Luginë e Medvegjë.
Qëllimi i vizitës së Sveçlës thuhet të ketë qenë takimi me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH).
“Duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë” – ka njoftuar MPJD, më 25.12.2024.
MPJD ka treguar arsyetimin e Qeverisë së Serbisë, teksa ka thënë se janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare, por Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite.
“Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit” – ka thënë MPJD.
Tutje, MPJD i përmbledh dy vitet e fundit që Qeveria e Serbisë, sipas tyre i ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024” – ka shtuar MPJD.
MPJD përmend edhe vizitën e udhëheqëses së saj, ministres Donika Gërvalla e cila ishte paralajmëruar të ndodhë në fillim të vitit 2024, më 27.02.2024.
“Për të marrë pjesë në pritjen për përvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare” – kujton MPJD.
Sipas MPJD, veprimet e tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë.
“Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë” – ka përfunduar MPJD.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/helal-Sfeqla-.jpg): failed to open stream: No such file or directory