Mjekja qetëson shqiptarët: Nëse ke imunitet të fortë, e kalon pa e kuptuar koronavirusin
Doktoresha dhe psikiatria, Arjana Rreli, dha disa këshilla për qytetarët, se si të ruajnë qetësinë në këtë situatë të vështirë të përhapjes së koronavirusit. Në rubrikën “Opinion”, mjekja tha se qytetarët shqiptar po kalojnë një tjetër traumë, pas asaj të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pasi është diçka e panjohur për ta dhe nuk e dinë ku dhe si të sulmon ky virus.
Por, sipas Rrelit, qytetarët duhet të zbatojnë këshillat e dhëna nga ekspertët, si dhe të kujdesen sa më shumë për fëmijët e tyre, të cilët e kanë më të vështirë psikologjikisht.
“Nëse e shohim këtë situatë si një traumë tjetër, secili nga ne do përfshihej në një lloj frike, që ka të bëjë me një gjë të panjohur, që nuk di ku dhe si të sulmon. Konsiderohet normale deri kur kjo frikë është në lidhje me arsyetimin, por tejkalohet kur kjo frikë amplifikohet shumë dhe përcillet te njëri-tjetri, kjo frikë mund të përshkallëzohet shumë, deri te një panik kolektiv. Ne harrojmë gjënë kryesore, ne kemi në dorë të mbrojmë imunitetin tonë duke mos ngritur kaq shumë shkallën e ankthit.
Kjo është një virozë, që i ngjan shumë virozave të stinës. Nëse ke imunitet të mirë, mund ta kalosh pa e kuptuar fare. Për fatin e madh, fëmijët dhe moshat e reja nuk preken. Këto janë mosha më aktive, që në kontaktet e përditshme mund ta transmetojnë te njëri-tjetri, por duke qenë se nuk preken, mund të mos kemi pandemi. Pjesa tjetër e shoqërisë nuk ka shumë aktivitet”, u shprej ajo.
Më tej ajo shpjegon se çfarë duhet të bëjmë dhe si mund të përballohet kjo situatë, izolimi nëpër shtëpi.
“Kalimi i kohës në natyrë, ku ajri është më i pastër, duhet t’ia servirim fëmijëve. Fëmijët më të vegjël duhet të vihen duke vizatuar, duke iu dhënë ne një shpjegim këtyre vizatimeve, që atyre t’u vijë më i lehtë problemi. Terma apo emocione që janë përdorur pas tërmetit duhen shmangur, se fëmija kujton shumë shpejt. As të komentojmë rastet e koronavirusit në sy të fëmijëve. Tani është koha që fëmijët të vazhdojnë të shohin kukulla në televizor, edhe nëse ua keni privuar më parë.
Nëse vendoset qetësia dhe pranohet fakti, gjërat zgjidhen shumë më mirë. Unë do ta shihja këtë situatë si më në fund një qëndrim bashkë me familjarët, që mungon shumë, dhe diskutimit të gjërave që s’do kishin marrë kurrë kohën. Sa i përket ushqimit, ne jemi solidarë, vetëm pa bukë nuk lëmë njeri. Jam e sigurt që disa nga njerëzit e mi kanë marrë edhe për mua.
Frika ime më e madhe është nëse përhapet ky paniku dhe ne dyndemi drejt dyerve të spitaleve apo me ngulm kërkojmë të bëjmë këtë analizën, sa dyshimet tona janë aq të forta dhe ne duhet ta bëjmë, këtë lloj paniku kam frikë. Mund të ndodhë edhe kjo, nëse këtë lloj ankthi ja transmetojmë njëri-tjetrit. Në këtë rast i bashkohem thirrjes së specialistëve, që ne duhet të bëjmë rolin tonë sa më mirë, që t’ia dalim. Ne jemi të fortë dhe e kemi treguar. Është një gjë që do ia dalim patjetër”.