Mini-kriza në KKSH!
Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) nuk e ka zhvilluar seancën të cilën e kishte thirrur për të hënën, duke e shtyrë ate për ditën e enjte.
Ishte bërë ora 10h dhe asgjë nuk po ndodhe. Qetësi në hapësirat e institucionit që detyrë kryesore ka mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në fushat kompetente.
Gazetari i Titullit, i caktuar për të përcjellë seancën e katërt të KKSH, është njoftuar nga sekretari i këtij organi se mbledhja e paraparë për t’u mbajtur është shtyrë për të enjten, në orën 10h, pa dhënë sqarime për shkaqet e shtyrjes.
Megjithatë, Titulli.com ka mësuar se kjo mini-krizë në funksionimin e KKSH-së ka ardh si pasojë e mungesës së kuorumit.
Kriza e shkaktuar, padyshim që po ngrinë proceset që duhet ecur para, duke marrë vetëm si krahasim miratimin e planit financiar për vitin 2015, që shumë Këshilla kombëtare të pakicave tashmë e kanë përfunduar, derisa Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve këtë pikë nuk arriti që ta miratojë as të hënën.
KKSH, në mbledhjen e dështuar është dashtë që të votojë propozim vendimin për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të Këshillit, pas konstatimit të dorëheqjes së zëvendësit të deritanishëm, Zejni Fejzullahu.
Më pas miratimin e kërkesës së Kuvendit Komunal të Preshevës për propozimin e anëtarëve të Këshillit, për shkollën “Selami Hallaçi” në Rahovicë, si dhe të Drejtoratit për Shërbime Publike dhe Veprimtari Shoqërore pranë komunës së Bujanocit, për dy anëtarët e Këshillit të shkollës fillore “Desanka Maksimoviq” në Bilaç.
Kriza e sotshme, si ajo me rastin e shkarkimit dhe emërimit të një anëtari të ri në këtë organ, po tregon edhe njëherë se sa e brishtë është përbërja e pushtetit ndaj opozitës në KKSH, me vetëm një këshilltarë diferencë, 8 me 7. /Titulli.com/