Mijëra qytetarë përcjellin trupin e të ndjerit Triumf Shabani (foto)
Futbollisti i K.F. Ferronikeli në Kosovë, Triumf Shabani nga fshati Verban i komunës së Bujanocit sot është përcjell për në banesën e fundit, në varrezat e Fushë Kosovës.
Në varrimin e të riut pas namazit të iqindisë morën pjesë familjarë, shokë, miq, dashamirë e qytetarë të shumtë, të cilët kishin njohur të riun bujanocas dhe dëgjuar për tragjedinë e tij, raporton Titulli.
I ndjeri Triumf Shabani kishte ndërruar jetë të shtunën rreth orës 23:30 në momentin kur me shokët e tij po luante futboll.
Ai papritmas kishte pësuar një sulm dhe ka rënë në tokë pa ndjenja duke mos reaguar. Ngjarja ndodhi në ditën e parë të muajit Ramazan, ditë të cilën e kishte agjëruar edhe Triumfi.
Ky lajm kishte tronditur tërë futbollistët dhe trajnerët kosovarë të cilët kanë lëshuar një mori mesazhesh ngushëllimi për familjen dhe të dashurit e futbollistit.
Triumfi ishte vetëm 20-vjeçar dhe nga të gjithë njihet si një djalosh shumë i urtë dhe tejet punëtor.
I ndjeri është nga komuna e Bujanocit, respektivisht fshati Verban, mirëpo që nga paslufta me familje jetonte në Fushë Kosovë.
Triumfi para dy vitesh ishte shpallë lojtari më i mirë në rajonin e Fushë Kosovës, ndërsa me Ferronikelin këtë vit ishte fitues edhe i Kupës së Kosovës në futboll.
Triumfi në ditën e vdekjes: Allah pranona agjërimin
Triumf Shabani e filloi agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, teksa ditën që ndërroi jetë la një porosi në rrjetin social Facebook.
Futbollisti i ndjerë i Feronikelit, Triumf Shabani, ishte duke agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit.
E, në ditën e vdekjes së tij, Triumfi la një mesazh në rrjetin social Facebook, duke iu lutur Zotit.
“O Allah! Ruaje agjërimin tonë dhe bëjë ndërmjetësues për ne, na fal gjynahet dhe na e mundëso ta kryejmë agjërimin ashtu siç e do Ti...All-llahu na Pranoftë e na Lehtësoftë..”, shkroi Triumfi. /Titulli.com/