Mediumi serb publikon tekstin (pretendon) e marrëveshjes Kosovë-Serbi, sipas modelit të dy Gjermanive
Modeli i dy Gjermanive, i cili i është ofruar Serbisë vite më parë si zgjidhje për çështjen e Kosovës, është sërish aktual. Portali serb “Nova.rs” pretendon se ka siguruar tekstin e marrëveshjes kornizë të vitit 2012, i cili bazohet në atë model dhe i cili iu ofrua autoriteteve në Serbi të asaj kohe.Për më shumë se një dekadë, autoritetet serbe kanë refuzuar të pranojnë një zgjidhje për Kosovën që do të mbështetej në modelin e dy Gjermanive. Në fakt bëhet fjalë për një traktat i nënshkruar nga Gjermania Perëndimore dhe Lindore, të cilat nuk e njihnin njëra-tjetrën.
I përshtatur për problemin e Kosovës, ai model do të nënkuptonte se Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, por nuk e njeh zyrtarisht atë. Kjo nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Disa pikat të asaj marrëveshje kornizë janë parashikuar ndërkohë në Marrëveshjen e Brukselit. Sipas disa informacioneve, aktualisht është duke u punuar në tekstin e zgjidhjes përfundimtare për problemin e Kosovës dhe do të bazohet në këtë model.
Prapa tekstit të kësaj draft marrëveshjeje nga viti 2012 qëndron fondacioni gjerman Konrad Adenauer, i cili është i afërt me CDU-në dikur në pushtet, të kryesuar nga ish-kancelarja Angela Merkel, dhe ishte shkruar nga ekspertë nga Serbia dhe Kosova, transmeton Telegrafi.
Tekstin e atij dokumenti i publikuar në tërësi:
“Të dyja palët në marrëveshje, duke pasur parasysh përgjegjësinë e tyre për paqen dhe sigurinë mbi baza të demokracisë, lirisë, shtetit të së drejtës, drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, duke u nisur nga specifikat historike dhe pavarësisht nga botëkuptimet e ndryshme të të dyja palëve të marrëveshjes kur bëhet fjalë për çështjet e statusit, të udhëhequr nga dëshira për të vepruar në favor të popullit dhe për bashkëpunim dhe stabilitet rajonal, në përpjekje për të zhvilluar reciprokisht marrëdhënie të mira fqinjësore, bien dakord për sa vijon:
Neni 1
Të dyja palët në marrëveshje do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie të mira fqinjësore bazuar në mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektimin e integritetit të ndërsjellë territorial.
Të dyja palët në marrëveshje marrin përsipër të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura nën kujdesin e Bashkimit Evropian. (të listuara në Aneksin A)
Neni 2
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të dyja palët në marrëveshje do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 3
Të dyja palët në marrëveshje nisin nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se autoriteti i tyre është i kufizuar në territorin e tyre.
Neni 4
Të dyja palët në marrëveshje shprehin gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet e mëtejshme praktike dhe humanitare, veçanërisht zgjidhjen e fatit të zhdukurve, kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, si dhe për të punojnë së bashku për zgjidhjen e çështjeve pronësore, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhëniet gjyqësore, postës dhe telekomunikacionit, mbrojtjen e mjedisit, arsimi, media dhe kultura, shëndetësia dhe sporti, turizmi dhe në fusha të tjera të rëndësishme.
Neni 5
Të dyja palët në marrëveshje do të kërkojnë bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet komunave dhe komuniteteve; do të inkurajojë binjakëzimin e komunave; do të lehtësojë lëvizjen e lirë ndërmjet komuniteteve fqinje dhe do të inkurajojë marrëdhëniet e ndërsjella.
Neni 6
Të dyja palët në marrëveshje do të hyjnë në negociata për vendosjen e pikëkalimeve të reja kufitare. Gjithashtu do të promovojnë transport më të mirë rrugor, ajror dhe hekurudhor midis dy territoreve.
Neni 7
Të dyja palët në marrëveshje marrin përsipër të krijojnë zyra ndërlidhëse në selinë e qeverisë/zyrave ndërlidhëse të njëra-tjetrës në territorin e tjetrës.
Neni 8
Të dyja palët në marrëveshje respektojnë të gjitha bashkësitë nacionale (minoritetet) në territorin e tyre, garantojnë dhe mbrojnë të gjitha të drejtat që u përkasin komuniteteve nacionale (minoriteteve), në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të drejtat e realizuara tashmë. Arsimi, kultura, feja, besimet fetare dhe gjuha e bashkësive nacionale (minoriteteve) do të gëzojnë stimuj të veçantë.
Organet e zgjedhura në mënyrë demokratike të bashkësive nacionale (minoriteteve) ose forma të tjera të përfaqësimit të bashkësive nacionale (minoriteteve) nga të dyja palët kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve praktike të mbrojtjes së bashkësisë nacionale (minoriteteve).
Neni 9
Duke pasur parasysh aspiratat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, të dyja palët kontraktuese do të respektojnë parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit në punën për harmonizimin e legjislacionit të tyre me standardet evropiane.
Neni 10
Të dyja palët në marrëveshje bien dakord që anëtarësimi i të dyja palëve në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare nuk do të nënkuptojë njohje sipas të drejtës ndërkombëtare (nga pala tjetër).
Neni 11
Të dyja palët në marrëveshje marrin përsipër të mbështesin njëra-tjetrën në përpjekjet e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Neni 12
Kjo marrëveshje hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga përfaqësuesit e autorizuar të të dyja palëve kontraktuese”, përfundon teksti i marrëveshjes së pretenduar nga portali serb. /Telegrafi/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ucici-kurti-mod.jpg): failed to open stream: No such file or directory