Lajçak me përshtypje të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi
Rajoni dhe Politika

Lajçak me përshtypje të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi

21.Jan.2023 08:38
0

Në Prishtinë kanë pritur më shumë mirëkuptim, ndërsa në Beograd kanë vënë re një "qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira" në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Këtë përshtypje përcolli të premten i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak ishte i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Temë e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha pas takimit se propozimi është "bazë e mirë për bisedime të mëtejshme", ndërsa Vuçiq tha se Serbia është "e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e planit evropian".

Ai tha se ka "shqetësim dhe rezervë për një çështje të rëndësishme", por nuk specifikoi më shumë.

Propozimi i BE-së, i cili u është dorëzuar palëve në fund të verës, nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por përkushtimin e të dyja palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Lajçak: Shpresojmë të mbërrijmë te mirëkuptimi

Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë", tha Lajçak.

 

Lajçak tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takime.

Në Beograd, Lajçak tha se "diskutimi ka qenë intensiv, i vështirë, por edhe i hapur".

"Ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha ai.

"Për ne, zbatimi në kohë i [Marrëveshjes për] Asociacionin e komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për integrimin e rajonit", shtoi Lajçak.

Formimi i këtij i asociacioni në Kosovë është edhe çështja më e diskutueshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Zyrtarët kosovarë, të cilët po përballen me trysninë ndërkombëtare për formimin e tij, thonë se ai nuk mund të jetë njëetnik.

Por, Serbia insiston që Asociacioni të formohet sipas një marrëveshjeje të vitit 2015, e cila parasheh kompetenca të gjera për të në disa fusha. Vuçiq përsëriti edhe të premten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet urgjentisht.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur disa shkelje në Marrëveshjen për Asociacionin dhe ka konstatuar se ai mund të formohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.

Për çfarë propozimi të BE-së bëhet fjalë?

Propozimi i BE-së, i njohur më herët si plani franko-gjerman, u është dorëzuar autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës. Ai mbështetet edhe nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë më herët se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.

Plani, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

 

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e kanë konfirmuar vërtetësinë e propozimit, i cili nuk është ende publik.

Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.

Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

 

Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se "është një pikë e rëndësishme kthese".

"Shpresojmë në këtë proces - në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë".

"Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces", tha Chollet.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në nëntor të vitit të kaluar. BE-ja, sipas burimeve, synon t'i bindë palët që të takohen sërish para fundit të muajit janar.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve - me ndërmjetësimin e BE-së - që nga viti 2011.

Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërsa Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi e ka fjalën./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/misaret-evropian.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Veliaj takon në Bujanoc miqësisht Kamberin dhe strukturën e PVD-së (foto)
Akademia përkujtimore përmbylli "Ditët përkujtimore të Jonuz Musliut" (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration