Kritika letrare për dramën e Fan S. Nolit “Israilitë dhe filistinë”
Dr. Lirak Karjagdiu
Deri më tash nuk ka pasë ndonjë studim të mirëfillët për këtë dramë të Nolit, por ka pasur reagime kritike dhe disa kritika të herëpashershme për këtë vepër. Kështu, p.sh Vehbi Bala në një kritikë të tij vë në dukje se kjo është vepra e parë e Nolit dhe një nga të parat edhe në letërsinë shqiptare, në fillim të shekullit të XX-të. Ai poashtu, paraqitet me idenë se megjithëqë subjekti i kësaj vepre është marrë nga “Bibla”, figurat dhe motivet u ngjeshën me brendi filozofike, shoqërore dhe politike.
Në të vërtetë ky kritik është i mendimit se Noli në këtë dramë e shtron temën e përdorimit të forcës si mjet të përhapjes së ideologjisë, së këndejmi ky kritik supozon se ky koncept i dramës, i bënte jehonë gjendjes politike të shqiptarëve të shekullit të XX-të, kur në gjirin e Rilindjes Kombëtare po shqyrtohej çështja e metodave dhe e rrugëve që duheshin zgjedhur për arritjen e çlirimit kombëtar.
Një mbështetje për zgjidhjen e kësaj dileme e pati dhënë edhe Sami Frashëri veprën e të cilit “Shqipëria çka qenë, çështë dhe çdo të bëhet”, të cilën Noli e kishte përkthyer në greqishte. Samiu thoshte se për të fituar lirinë e tyre shqiptarët mund të përdornin si propagandën, drejtësinë dhe bindjen ashtu edhe forcën apo dhunën.
Sipas mendimit të Vehbi Balës, Samsoni si protagonist është portretizuar si një figurë e mbinatyrshme, por ai nuk dëshiron ta përdorë forcën, ndonëse është i gatshëm të bëjë gjithçka për të arritur qëllimin e tij. Më tej, ky kritik paraqitet me idenë se, synimi për t’iu përkushtuar një qëllimi madhor, kërkon nga protagonisti Samson çdo lloj flijimi, në rast nevoje edhe flijimin e jetës. Ndërkaq, gjatë kryerjes së detyrës, Samsoni në një çast dobësie, e harron misionin e tij dhe jepet pas Dalilës, e cila e shpërdor dashurinë e tij. Ky kritik mendon se autori i dramës e trajton edhe çështjen e të drejtës që kanë njerëzit për t’i mos i pranuar pikëpamjet dhe parimet që ose nuk ua mbushin mendjen ose mund t’ua sjellin robërinë dhe skllavërinë shpirtërore. Në dramë, filistinët e kundërshtojnë fenë monoteiste të izraelitëve, të cilët përpiqen t’ua imponojnë këtë fe, sepse ajo i shtrëngon filistinët të jetojnë në frikë të përhershme. Në fund të kritikës së tij, Vehbi Bala thekson se kjo vepër nuk është përpunuar deri në fund dhe se ideja e saj qëndrore nuk ka dalë në pah plotësisht, në përgjithësi, kurse në veçanti, personazhet nuk janë përshkruar, e portretizuar sa duhet. V. Bala përfundon se Noli përmes kësaj drame dëshmoi se kishte prirje për artin skenik, por më vonë nuk e lëroi ate.
Njëri ndër kritikët e parë të kësaj drame është historiani i letërsisë, akademiku, shkrimtari, profesori dhe kritiku Dhimitër Shuteriqi. Ai shkruan se kjo është vepra e parë origjinale dhe artistike e Nolit, e cila sot pothuajse është harruar. Kjo dramë, sipas tij, është një nga prodhimet e para të llojit në gjuhën shqipe dhe s’është pa vlerë. Për këtë kritik, drama e Nolit ka mbrendi filozofike, kurse porosia dhe morali i saj është ky: Idealisti vetëm nuk ia del dot; por edhe kur është vetëm, lufta meriton të luftohet. Sipas bindjes së Shuteriqit, njeriu duhet të vdesë për idealin e tij. Afër mendsh, për te Samsoni është idealisti që me çdo kusht e me besim qorr te vetvetja, “po i shkëputur nga masat”, bie fli në ballë të detyrës për idealin e vet. Përveç kësaj, Shuteriqi e çmon në mënyrë të veçantë monologun e Samsonit, në skenën e I-rë, të aktit të I-rë dhe skenën e fundit të aktit të III-të, etj. Ai vëren se aty – këtu mund të hasën edhe në disa të meta. Megjithëse, sipas tij në dramë vërehet ndikimi i klasicizmit, në dialogjet dhe monologjet e saj mbizotëron retorizmi.
Në një shkrim të tij kritik, Koço Bihiku shkruan se në dramën e Fan Nolit “Israilitë dhe Filistinë” autori rrahu problemin e përdorimit të forcës si mjet për ngadhnjimin e një çështjeje. Vepra, vazhdon Koço Bihiku, nuk u vu në skenë ndonjëherë. Ajo ka rëndësi për të njohur idetë që frymëzuan autorin në hapat e para të krijimtarisë së tij letrare. Nga ana tjetër, mendon ky kritik, me qëndrimin se rruga e fitores së një çështjeje është ajo e dhunës, vepra në fjalë nuk mund të mos lidhet qoftë edhe tërthorazi me shqetësimet e lëvizjes patriotike shqiptare.
Në vëzhgimin e tij për Nolin, akademiku, shkrimtari, kritiku dhe historiani i letërsisë, Rexhep Qosja vëren se Noli kur ka zënë të interesohet si krijues për letërsinë dhe kur ka shkruar dramën “Israilitë dhe Filistinë”, nuk është dashur shumë të mësojë se ajo ishte kohë kur aktiviteti praktik, shoqëror dhe politik ishte shumë më i nevojshëm dhe i çmuar për shqiptarët se veprat artistike. Sipas Qosjes, Noli ka besuar se ëndja është bërë shumë herë shkaktare e të këqijave individuale dhe shoqërore në historinë e njerëzimit, prandaj në dramën e tij të parë dhe të fundit, F. Noli ka theksuar nëpërmes gojës së protagonistit të vet se ëndja është “sëmundja e botës”, që ka dobësuar Samsonin para Dalilës. Veç kësaj, ky kritik është i bindur se Noli e ka shkruar këtë dramë në Boston nën ndikimin e filozofisë së mbinjeriut të Niçes. Në këtë dramë, Noli kishte nxjerrë përfundimin e logjikshëm në kohën kur vendi i tij gjendej akoma në robëri, që dhuna është ajo fuqi e cila rregullon shumë çështje të parregulluara në botën njerëzore. Ai arrin në përfundimin se Shqipëria e robëruar s’mund të çlirohej ndryshe përpos me forcë, kurse popullit të shkjepur dhe të rralluar emocionalisht, i lypsej një prijës që qoftë me qejf ose me zor, do ta bashkonte rreth flamurit të tij[4].
Është interesant se profesori, historiani i letërsisë dhe kritiku Namik Resuli mendon se meqë Noli nuk vazhdoi të shkruajë drama, pas dramës “Israilitë dhe Filistinë”, na le të kuptojmë se ndoshta nuk kishte ndonjë prirje të posaçme për këtë gjini letrare, prandaj e ka parapëlqyer shqipërimin e dramave të Shekspirit. Ky kritik e vlerëson dramën e Nolit, duke shënuar se Noli nuk është larguar nga legjenda biblike aq tepër. Ai mendon se, kjo dramë pos tjerash, flet edhe për ate se sa i dobët dhe i brishtë është njeriu para tundimeve të të mirave materiale si ari, seksi, etj, të adhuruara nga filistinët, tek të cilët shkon Samsoni në misionin e tij të lartë dhe pëson. Resuli nuk pajtohet me ata kritikë, të cilët kanë shkruar se Samsoni ishte “partizan i dhunës”[5].
Profesori dhe kritiku, Ali Aliu në një trajtesë të tij për “Israelitë dhe Filistinë” të Nolit ka përshtypjen se kjo vepër e moshës dhe e hovit djaloshar, e paralajmëroi gjeniun e Nolit. Aliu i komenton mendimet, gjykimet dhe vlerësimet e disa kritikëve për këtë vepër dhe i klasifikon në dy grupe. Ndërsa, në njërin grup bëjnë pjesë ata kritikë të cilët janë të mendimit se Noli e ka shkruar këtë dramë nën ndikimin e mbinjeriut të Niçes, në grupin e dytë, janë ata kritikë të cilët besojnë se kjo dramë është një jehonë e gjendjes politike shqiptare në fillim të shekullit XX-të, kur në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare rrihej çështja aktuale e mënyrave që duheshin zgjedhur për çlirimin e atdheut. Sipas këtij kritiku, Noli në dramën e tij ka paraqitur një sërë dilemash enigmatike që duhet të zbërthehen nga të tjerët. Aliut i thotë mendja se Noli e ka shtruar dilemën kryesore si mendimtar i prirur për të jetuar në jo vetëm anët vitale në ekzistencën e njeriut, por edhe për të përsiatur për të. Së këndejmi, thurja dramatike, për këtë kritik fillon me dilemën se a duhet të provohet përsëri përhapja e së vërtetës përmes bindjesë, apo po ajo e vërtetë duhet të shoqërohet edhe me fuqi.
Sipas tij, Samsoni e përfaqëson harmoninë e idealizuar rinore, që çoroditet së bashku me përvojën jetësore. Ky kritik poashtu e trajton edhe dilemën e epërsisë në mes të shpirtit dhe zemrës, shpirtit dhe arsyes, misionit dhe pasionit, karakterit të fortë dhe dobësisë. Veç kësaj, duke bërë përpjekje për ta shpjeguar karakterin e Samsonit, ai pohon se Samsoni ishte i bindur se duke qenë zot i zemrës dhe i qejfeve, njeriu nuk është në gjendje më pas të flijohet as për idealet dhe as për lumturinë e të tjerëve. Aliu me të drejtë vëren se, Noli legjendën biblike e ka vënë plotësisht në kontekstin politik aktual kombëtar, sepse heroi i dramës me idealin e vet, ngrihet mbi egoizmin dhe trivialitetin e përditshmërisë. Në përmbylljen e kritikës së tij analitike, ky kritik përfundon se është dëm i madh që një tekst dramatik me aq shtresa të llojllojshme dhe me vlera, domethënie dhe aludime të larmishme, me një mori ideshë, dilemash dhe mesazhesh vitale, pat mbetur për një kohë të gjatë i pavërejtur prej njerëzve të teatrit[6]
Sipas profesorit, kritikut dhe poetit Martin Camaj, është me rëndësi të vihet në dukje se në fazën e hershme të zhvillimit të letërsisë shqiptare “paraqitja a anës enigmatike” e dramës “Israilitë dhe Filistinë”, është në të njejtën kohë jo vetëm një sfidë e hedhur, por edhe një farë nxitjeje dhe sugjerimi për lexuesit dhe vëllezërit shqiptarë që të bëjnë përpjekje për të kuptuar dhe zbërthyer problematikën që shtron kjo dramë.
Përpos kësaj, ky kritik dhe poet mendon se Noli temën nga legjenda biblike e ka ndryshur shumë, duke gërshetuar ngjarjen biblike me ngjarje të trilluara. Ai shkruan se, Noli ka ndryshuar edhe atmosferën e legjendës mbi Samsonin, madje dhe disa tipare të karakterit të protagonistit, duke vënë theksin në fuqinë e moralit, etikës misionit dhe guximit; mirëpo Camaj, në të njejtën kohë është i vetëdijshëm se ndyshimi i lëndës biblike dhe shndërrimi i saj në lëndë të trilluar letrare dhe artistike është bërë nga Noli sipas disa rregullave të përpikëta të trillimit artisitik. Ky kritik poashtu vëren se Samsoni është një idealist që meriton respekt, por po aq respekt dhe vëmendje meriton edhe personazhi i Rabinit, i cili bën çmos ta mbrojë Samsonin nga hipokrizia e izraelitëve fetarë, të cilët sipas tij nuk brengosen fort për Samsonin, por për prestigjin e fesë së tyre, nënshtrimin dhe sundimin e filistinëve26.
M. Camaj nuk kursen as kritikat për këtë vepër. Ai vëren se në fund të aktit të I-rë, vepra mbetet e mangët, autori nuk e zhvillon subjektin dhe nuk e zbërthen idenë qëndrore të dramës. Në aktin e II-të, vazhdon kritiku, horizonti i elementeve dramatike “herë hapet e herë tkurret”. Akti i II-të, sipas tij paraqet shthurjen e moralit të Samsonit jo nga ideja e dokrinës pagane filistine, po nga shtytja e epsheve trupore të papërmbajtura nga një moral i shtrënguar puritan, që përputhet më tepër me parimet dhe sjelljet e “Dhiatës së Re” e jo “Dhiatës së Vjetër”. Përpos kësaj, sipas koncepteve të këtij kritiku Samsoni izraelit është paraprijës i Mesisë dhe si i tillë është edhe një antitezë e kolektivit që si fuqi e natyrshme kompakte “i çelë shteg vetes nëpër fazat e historisë”. Pokështu, Camaj nuk është dakord me kritikët që thonë se Noli e ka shkruar këtë dramë nën ndikimin e mbinjeriut të Niçes, sepse ai ka të dhëna se së fillim të shekullit të XX-të, kur Noli e shkroi këtë dramë, kulti i personalitetit të shquar, titanik, kulti i shpëtimtarit, i shelbuesit dhe heroit dhe kulti i Mesias, i cili vjen ose do të vijë një ditë me misionin për të kryer punë të mrekullueshme dhe madhështore, në përgjithësi ishte i gjallë si në Evropë ashtu edhe në të gjitha letërsitë ballkanase, sidomos ishte i popullarizuar në letërsinë greke. Meqë, protagonisti Samson me tiparet, cilësitë, bëmat, aktet dhe diskursin e tij, mbisundon në tërë dramën, ai është i mendimit se drama e Nolit është dashur ta ketë titullin “Samsoni”[7].
Sipas studiuesit dhe kritikut A. Uçi, Noli tregoi interesim për temat dhe figurat mitologjike që në hapat e parë të krijimtarisë së tij. Drama e tij subjektin e ka nga Bibla, nga rrëfimet mbi përpjekjet e izraelitëve për t”i shtrënguar filistinët të ndërronin besimet e tyre politeiste dhe të përqafonin monoteizmin. Është me rëndësi se Samsonit, protagonistit të veprës, sipas Uçit, Noli i mvesh tipare dhe cilësi të mbinatyrshme, mahnitëse dhe çudibërëse, cilësitë e heronjëve të mitologjisë së lashtë. Për këtë kritik, elementet e një fryme kritke, bëhen të pranishme vetëm tërthorazi, atëhere kur Noli e zëvendëson problemin e fesë me çështjen e së vërtetës dhe kur nuk është dakord me predikimin e krishterë të moskundërshtimit të së keqes me dhunë. Uçi është i mendimit se Noli, në vend se të vërë në dukje se në fillim “qe fjala”, si thuhet në Bibël, ai e kundërve parimin faustian të përparësisë së veprimit. Vepra e Nolit përfundon Uçi është një vepër alegorike me konotacione aktuale, duke e vënë në plan të parë problemin e mënyrave dhe rrugëve të fitores së ideve përparimtare përmes luftës së armatosur[8].
[1] Bala, V., Fan S. Noli, në Noli, Vepra 7, Rilindja, 1988, fq. 76
[2] Shuteriqi, Dh.: Histori e letërsisë shqipe për shkolla të mesme, Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1969, fq. 226-7
[3] Bihiku, K., Fan S. Noli dhe kultura shqiptare, në Noli, Vepra 7, Rilindja, prishtinë, fq. 197-8
[4] Qosja, R., Fan S. Noli, në Noli, Veprat 7, Rilindja, Prishtinë, 1988, fq. 129-130
[5] Aliu, A., Drama e dilemës, në Noli, Vepra 7, Rilindja, Prishtinë, 1988, fq 360-374
[6] Camaj, M., Israelitë e Filistinë (vepër rinore e Fan S. Nolit), vep. e cituar, fq. 13-25
7 Po aty
8 Uçi, A., Simbolika mitologjike në realizmin tonë (Simbolika mitologjike te Noli) në Noli, Vepra 7, Rilindja, Prishtinë, 1988, fq. 291-292
copy(/home/titulli/public_html/images/image/): failed to open stream: No such file or directory