Kosova: Lugina me banorë autoktonë në Serbi
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se Shqipëria edhe me Kushtetutën e saj e ka për obligim që të angazhohet për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj.“Ata (Shqipëria) e kanë për obligim që të jenë gjithnjë të angazhuar për krejt atë që ndodh me shqiptarët në Luginë.
Kosova e ka më të vështirë situatën. Por pavarësisht edhe Shqipëria, edhe Kosova duhet të jenë më të angazhuara për të drejtat e shqiptarëve atje”.
Nitaj vlerëson se përpos disa vizitave që janë bërë në Luginë, më shumë për interesa të atyre që e kanë vizituar këtë pjesë sesa të popullatës atje, nuk pasur ndonjë angazhim më të madh për Luginën.
“Kosova nuk është marrë fare me këtë punë. Ose angazhimi i saj ka qenë i papërfillshëm”, thotë ai duke kujtuar periudhën kur njerëzit e Luginës hiqnin nga taksat e kufirit e Qeveria e Kosovës qëndronte indiferente. “Kosova, ose më saktë Qeveria e saj, ka pasur qasje improvizuese ndaj shqiptarëve të Luginës”, theksoi Nitaj.
Nitaj e quan ndihmën prej 50 mijë eurosh për Maternitetin në Luginë një tallje. Ministria e Diasporës, e cila si dikaster qeveritar kujdeset për të ndihmuar institucionalisht shqiptarët jashtë Kosovës, nuk e sheh në kuadër të aktivitetit të saj Luginën, pasi i konsideron banorë autoktonë në Serbi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Diasporës, Lorik Pustina, në një prononcim për “Zërin” thotë se Lugina nuk konsiderohet diasporë. “Ministria e Diasporës nuk i ka target në fushëveprimin e saj banorët e Luginës së Preshevës, pasi që ata jetojnë në trojet e tyre autoktone dhe nuk i konsiderojmë si diasporë”