Komuna e Preshevës nuk merret me problematikën e refugjatëve
Komuna e Preshevës gati është përjashtuar nga situata e ardhjes së refugjatëve që kalojnë përmes Preshevës dhe drejtuesit komunal thonë se ata pakë ndihmojnë në këtë drejtim e se nuk është kompetencë e tyre.Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Ramiz Latifi gjatë një prononcimi për Portalin Titulli.com thotë se ekzistojnë organizatat tjera ndërkombëtare dhe ministria përkatëse që merret me problematikën e refugjatëve.
“Për t’u kujdesur për refugjatët tani është kompetent Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe UNHCR-ja. Edhe lokacionin për sistemimin e tyre e ka caktuar Ministria në fjalë“ tha Latifi.
Ai gjithashtu potencoi se gjendja në terren është e vështirë sidomos gjatë ditëve të ftohta.
“Refugjatët janë tani në gjendje të vështirë, meqenëse po afrohet edhe stina e dimrit dhe koha ftohet. Sa i përket ndihmave nga komuna për refugjatët, mund të them se Komuna e Preshevës nuk e ka asnjë projekt, apo ndonjë konkluzion të dalë nga kuvendi për t’i ndihmuar tani refugjatët“, theksoi Latifi.
Në anën tjetër nga zyra e shërbimit për situata të jashtëzakonshme pranë kuvendit komunal të Preshevës thonë se deri më tani janë ndarë vetëm 500 mijë dinarë.
“Nga muaji qershor i këtij viti komuna e Preshevës për refugjatët ka ndarë një vlerë prej 500.000 dinarëve, të cilat mjete janë të harxhuara kryesisht për ushqim dhe sigurimin e toaleteve mobile fillimisht tek lokacioni prapa shkollës fillore“, deklaroi Nexhmedin Ahmedi drejtues i zyrës për situata të jashtëzakonshme.
Sipas tij nga atëherë për t’u përkujdesur për refugjatët barrën kryesore e ka UNHCR-ja.
“Pas kësaj periudhe përkujdesja e refugjatëve ka kaluar në kompetenca të UNHCR-së, komitetit për refugjatë dhe kryqit të kuq, ata kujdesen në çdo aspekt për ta. Për sezonin e dimrit nga komiteti për refugjatë, janë rregulluar dy salla në stacionin hekurudhor, konkretisht në lokalet e fabrikës së duhanit në Preshevë, me kapacitet për 500 persona, prandaj ata sigurisht kanë projektet dhe planet e tyre për t’u përkujdesur sa më mirë”, shtoi Ahmedi.
Lidhur me ndihmat që ofron komuna e Preshevës për refugjatët Ahmedi shprehet se ato përqendrohen në infrastrukturë , sigurimin e ujit dhe mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve nga papastërtitë që krijohen./Titulli.com/