Komuna e Bujanocit shpall konkurs për subvencionim të ndërmarrjeve private që punësojnë femra
Me qëllim të barazimit të femrave dhe meshkujve në tregun e punës, komuna e Bujanocit ka shpallur ftesë publike për punëdhënësit të sektorit privat që do të hapin vende të reja të punës për femra, njofton administrata lokale e Bujanocit në vebfaqen zyrtare, raporton Titulli.com.Subvencioni lejohet në shumë të njëhershme në vlerë 130 mijë dinarë në nivel vjetor për çdo vend të hapur pune, njofton më tej pushteti lokal i Bujanocit.
Të drejtën e pjesëmarrjes në ftesë publike e kanë vetëm punëdhënësit nga komuna e Bujanocit, që nuk hyjnë në radhën e organeve shtetërore apo organizatat dhe shfrytëzuesit tjetër të drejtpërdrejt dhe indirekt të mjeteve buxhetore, si dhe shoqatat e qytetarëve.
Punëdhënësi, gjegjësisht njësia organizative e punëdhënësit në të cilën personat punësohen, duhet patjetër të jetë e regjistruar së paku një vit para shpalljes së këtij konkursi, përcjell Titulli.com.
Sa i përket punësimit, pozita e femrave në komunën e Bujanocit nuk është aq e favorshme.
Sipas një studimi të Shoqatës së grave afariste në Bujanoc, femrat në Bujanoc dhe Preshevë janë shumë pak të përfaqësuara në raport me mesataren kombëtare. /Titulli.com/