KFOR heq ndalesën, aeroplan e helikopterë të Serbisë mbi qiellin e Luginës
KFOR-i sot ka hequr ndalesat që ka aplikuar në hapësirat ajrore të Serbisë të vendosura në vitin 1999.Lajmi është dhënë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se KFOR-i ka vendosur ta relaksojë zonën e sigurisë, transmeton KosovaPress.
“Këto ndalesa që ende janë valide për disa pjesë të Serbisë nuk do të ekzistojnë më”, ka thënë Stoltenberg duke shtuar se kjo do të thotë integrim i plotë i Serbisë në hapësirën ajrore evropiane.
Ai ka thënë se ky është një veprim konkret për përmirësimin e marrëdhënieve NATO- Serbi.
Sipas Stoltenberg, vendimi është marrë si rrjedhojë e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e Brukselit.
Ndalesa ajrore ndaj Serbisë e njohur si Zona e Sigurisë Ajrore, që përfshinte edhe rajonin e Luginës së Preshevës, në 16 vitet e fundit është zbatuar në një hapësirë ajrore prej 24 kilometra drejt Serbisë Qendrore duke filluar nga “kufijtë administrativ” me Kosovën.
Stoltenberg sot ka nisur një vizitë dyditore në Serbi.