Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit: Marrëveshja përfundimtare do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik (video)
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.
“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, thotë Chollet.
Duke folur një ditë para vizitës së pesë emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Chollet thotë se ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por thekson se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, thotë Chollet.
Duke komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe, KM, të regjistruara në dhjetor e këndej, Chollet thotë se ky “është pikërisht ai lloj hapi që SHBA-ja nuk ka dashur ta shohë”.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/hollet-us.jpg): failed to open stream: No such file or directory