Kamberi: Vuçiqi me tri fytyra
Serbia e kryeministrit Aleksandër Vuçiq po shfaqet bashkëpunuese jashtë, shtypëse brenda dhe hegjemoniste në fqinjësi.Demokratizimi në përgjithësi, si dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, liria e mediave në veçanti, nuk janë së fundi shumë tema preokupuese për Bashkimin Evropian në raport me Serbinë, përderisa ajo shpërfaq “stabilitet” dhe përkushtim për integrim në BE.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Belgzim Kamberi, analist politik nga Lugina e Preshevës, i cili njëherësh është anëtar i kryesisë në Lëvizjen “Vetëvendosje”.
Kamberi me këtë rast ka kritikuar ashpër edhe kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafën, i cili javë më parë i ka ndarë mirënjohje kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
’Zahvalnica’, apo mirënjohja, për Vuçiqin është njëherësh fyerje për viktimat civile shqiptare nga Lugina të vrara nga Serbia shtetërore për të cilat nuk veproi asnjëherë drejtësia serbe.
Por, ajo që është më e rëndësishme është se “Zahvalnica” delegjitimon shtypjen dhe diskriminimin shtetëror serb ndaj Luginës së Preshevës, të cilin e trumbeton z. Mustafa vazhdimisht nëpër mediat shqiptare”, ka potencuar Kamberi për "Zëri-n". /Titulli.com/