Ish-prokurori shqiptar: T’u jepet autonomi komunave veriore, por të kërkohet e njëjta për Luginën E Preshevës
Ish-prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Shkëlqim Hajdari ka thënë se mesazhet e ish-presidentit Bill Clinton, i cili e vizitoi Tiranën më 3 korrik, shkojnë direkt për Kosovën.
Në një intervistë për “News24”, ai thotë se Kosova duhet t’u japë autonomi aq sa kërkohet me konventa ndërkombëtare komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Mirëpo thotë se territori nuk bën të shkëputet, por të mbesë brenda Republikës së Kosovës.
“Fjalimi i Clintonit na çon direkt në Kosovë. Clintoni tha se komunat me shumicë serbe duhet t’i kanë të gjitha të drejtat që duhet t’i ketë një komunitet apo një etni, dhe ju shqiptarët duhet t’ia jepni këto. Të gjithë ndërkombëtarët e thonë se Kosova është e destinuar që të jetë një shtet që të funksionojë në bazën e principeve mbi të cilët ky shtet u krijua. Ato janë, principet e demokracisë, të lirisë dhe të drejtat e njeriut të çdo etnie e të çdo kombi. Dhe ky shtet që është produkt i Perëndimit, në krye me ShBA-në, duhet të sillet mbi këto parime”.
“Qeveria aktuale në Kosovë nuk duhet të bjerë pre e veprimeve provokuese nga Vuçiqi. Ne e dimë të gjithë se veriu i Kosovës nuk ka qenë i populluar me kaq serbë sa ka tani, ka qenë shumicë serbe, por jo kaq sa ka tani. Sepse aty kanë funksionuar shërbimet sekrete serbe që të mbledhin serbë nga krahina tjera brenda Kosovës ose nga vende tjera, serbë të Bosnjës, etj. Se aty popullsia serbe kontrollohet nga bandat, nga krimi i organizuar, s’ka diskutim, dhe po të ketë vullnet nga politika serbe, këto largohen. Por nuk duhet të bimë në ndikimin e tyre”, raporton Klankosova.tv.
“Dhe e vetmja mundësi që shteti i Kosovës të eci përpara drejt integrimit dhe drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, dhe në një kusht dhe në një situatë tjetër gjeopolitike, brenda vullnetit të vet të gjejë elemente të bashkimit me shtetin mëmë, siç është Shqipëria, është që këtyre komunave t’u japim maksimumin e autonomisë që parashikojnë të gjitha konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me pakicat dhe etnitë. Që do të thotë, e vetmja gjë që nuk duhet të negociohet me ta, është që ky territor mbetet brenda sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe nuk lëviz si kufi, por atyre u jepen të gjitha ato të drejtat. Por duke qenë të ndershëm që të njëjtën gjë duhet t’i kërkojmë politikës serbe për Luginën e Preshevës, për etninë shqiptare që të shkojmë në barazim”, potencoi Hajdari.
Ndërkaq, në lidhje me situatën e krijuar pas dërgimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, ish-prokurori tha se kryeministri Albin Kurti po sillet sikur bota është në luftën e ftohtë.
“Ngjarjet e fundit po tregojnë se kryeministri Kurti politikisht po sillet sikur jemi në luftën e ftohtë. Sjelljet e Kurtit me të gjithë. Përplasja e Kurtit është me të gjithë, fillimisht brenda Kosovës me partitë opozitare, është në përplasje me aktorët kryesorë që negociojnë. Pasojat e këtyre përplasjeve janë vetëm në çështje kohe, që ne kemi në dorë ta shpejtojmë ose ta ngadalësojmë integrimin e Kosovës në BE”.
“Në raport me ndërkombëtarët, mendoj se ata janë vazhdimisht një hap para nesh. Kosova ka hyrë në histori, ndërkombëtarët nuk e lënë kurrë që ky shtet të mos ekzistojë, por duan që krahas Kosovës të mos e humbin dhe Serbinë. Një Kosovë pro-perëndimore anëtare e BE-së, dhe një Serbi lindore me lidhje okulte sa me Kinën e sa me Rusinë, nuk do t’i shërbente as bashkëpunimit mes dy vendeve Kosovë-Serbi dhe as stabilitetit në Ballkan. Këtë pako aktorët do ta çojnë përpara, dhe neve shqiptarët, qeveria aktuale e Kosovës, ka në dorë vetëm një gjë, që ta frenojë e ta bllokojë. Por që Kosova të rikthehet mbrapa dhe të humbi tërësinë territoriale, shtetin dhe pavarësinë, kjo nuk ndodhë kurrë”, tha ai.
Në lidhje me raportin Rama-Kurti, ai thotë se kryeministri shqiptar ka qenë i drejtpërdrejtë nëpër takime, dhe ka thënë edhe gjëra që nuk thuhen në publik.
“Rama nuk ka ruajtur gjë, i ka thënë të gjitha nëpër takime. I ka dhënë arsyet e veta të anulimit të mbledhjeve të qeverive…”, tha ai, teksa kur u pyet për draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga Rama, ai tha: “Po duam t’i gjejmë bishta një fenomeni, i gjejmë sa të duash. Drafti është bërë si gozhda e Nastradinit. Të gjithë jemi të bindur se ato komuna duhet të administrohen nga serbët, duhet të kenë pushtetin politik, gjyqësor, policor, pa humbur territori që do të jetë pjesë e Republikës së Kosovës”.