Zbardhet agjenda e vizitës së Ramës në Beograd e Preshevë
Një ditë para zhvillimit të vizitës së shumëpritur të kryeministrit së Republikës së Shqipwrisw Edi Rama në Serbi, është publikuar edhe agjenda e saj.Fillimisht, kreu i ekzekutivit shqiptar të hënën do të zhvillojë një takim kokë më kokë me mikpritësin e tij, kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq, që do të pasohet nga bisedimet me praninë e dy delegacioneve zyrtare.
Më tej, në mesditë është parashikuar edhe mbajtja e një konference të përbashkët për shtyp e dy kryeministrave.
Ashtu siç edhe pritej, takimi mes Presidentit Tomisllav Nikolliq me Ramën nuk është parashikuar në agjendë, mesa duket pas komenteve të tij të shumta për incidentin në ndeshjen e futbollit të muajit të shkuar mes kombëtareve të të dy vendeve.
Po ashtu është anuluar edhe shëtitja e shefit të qeverisë shqiptare në rrugët qendrore të Beogradit për arsye sigurie.
Gjithsesi, gjatë pasdites së të hënës është konfirmuar vizita e Ramës në Bashkinë e kryeqytetit serb, ashtu si edhe pjesëmarrja në forumin e biznesit – të dyja këto pika të përcaktuara që në kohën kur kjo vizitë do të realizohej në tetor.
Ndërkaq, të martën udhëtimi në rrugë tokësore në Luginën e Preshevës do të realizohet, mesa duket pas këmbënguljes së shefit të qeverisë shqiptare.
Këtë e la të kuptohet edhe e përditshmja e Beogradit “Kurir”, megjithëse e konsideroi si një provokim. Gazeta ka cituar kreun e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili ka deklaruar se do ta presin Ramën si kryeministrin e tyre.
Ajo që dihet tashmë me siguri është fakti, që konfirmohet edhe nga mediat e ndryshme serbe, se janë marrë masa të rrepta sigurie në të gjithë Serbinë për mbarëvajtjen e kësaj vizite, e para e një kryeministri shqiptar në thuajse 70 vjet.
Këto media i kanë krahasuar këto masa me ato të vizitave të zëvendëspresidentit amerikan Bajden dhe Presidentit rus Putin.
Autoritetet policore në Beograd kanë arrestuar 3 persona në qendër të kryeqytetit serb mbrëmjen e së enjtes. Kjo ngjarje është konsideruar si shmangie e një atentati të mundshëm ndaj kryeministrit Rama.
Kjo vizitë ishte parashikuar të zhvillohej që në pranverë, por u shty për në vjeshtë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Ndërsa shtyrja e dytë ndodhi pas incidentit të rëndë në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri të 14 tetorit.
Agjenda e vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Serbi 10-11 nëntor 2014
E hënë 10 nëntor
Ora 11.00 – Takimi dypalësh Vuçiç – Rama, i pasuar nga takimi mes dy delegacioneve,
Ora 12.30 – Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrave,
Ora 16.00 – Takimi i Kryeministrit Rama me gazetarët shqiptarë,
Ora 17.00 – Forumi i biznesit Serbi-Shqipëri, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe delegacioneve
Ora 18.00 – Takimi në bashkinë e Beogradit.
E martë 11 nëntor
Ora 05.00 – Nisja në rrugë tokësore për në Luginën e Preshevës
Ora 11.00 – Takimi në Preshevë me autoritetet vendore.