Vuçiq shpall fitore në zgjedhje 2023
Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.
Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.
Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.
Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.
Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.
Presidenti Vuçiq ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë.
Bërnabiq i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.
Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.
Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë - gjithsej 8.273.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ucic-parl.jpg): failed to open stream: No such file or directory