Vuçiq paralajmëron platformë të përbashkët me politikanët serbë të Kosovës
Presidenti serb Alleksandar Vuçiq, pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, më 7 prill, ka deklaruar se pas shtatë ditësh do të dalë me “konkluzionet e përbashkëta” në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës dhe “të gjitha ngjarjet e ardhshme”.
Vuçiq ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Presidenti i Serbisë nuk dha detaje nga takimi, duke thënë se konsultimet e radhës të ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të mbahen në Rashkë, në jug të Serbisë dhe më pas do të dalin me “platformë e përbashkët”.
Siç tha ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë. Vuçiq nuk ka saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave, nga radhët e Listës Serbe, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar në kuadër të daljes kolektive të serbëve të veriut të vendit nga institucionet e Kosovës.
Këtë e bënë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës, i cili më vonë u pezullua, duke u bazuar në një marrëveshjeje me Serbinë në kuadër të dialogut.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, nuk u paraqit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, deri në përfundimin e afatit, më 22 mars.
Vendet e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) njoftuan më 24 mars se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës janë në përputhje me ligjet, si dhe shprehën keqardhjen që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike për të marrë pjesë në to”.
Në takim mori pjesë edhe Millan Radoiçiq
Në takimin me presidentin e Serbisë, bashkë me përfaqësues të tjerë politikë të serbëve nga Kosova, i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britania e Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar.
Radoiçiq është në arrati nga autoritetet e Kosovës për shkak të akuzave për korrupsion, ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e cilësoi atë si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve kosovare. Beogradi zyrtar, gjithashtu ka vendosur që të mos i zbatojë sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, sepse për një gjë të tillë nuk ka detyrime ndërkombëtare.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ucic-kurti-be.jpg): failed to open stream: No such file or directory