Vështrime
Tri çështjet lindore të Evropës
Pushteti i butë i Evropës ka ndryshuar shumë gjëra në shumë shtete gjatë dy dekadave të fundit, duke i nxitur liderët dhe qytetarët që t’i reformojnë ekonomitë e tyre dhe të përqafojnë apo forcojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Ajo mund të vazhdojë ta bëjë këtë gjë në Turqi, në Rusi dhe në Ukrainë, ose nëpërmjet mospërkujdesjes dhe mosveprimit, Evropa mund të humbë besueshmërinë, ndikimin dhe mundësitë ekonomike.
Shkruan: Havier Solana
Sot projekti evropian po lëkundet. Natyrisht, jam i bindur se kriza e vazhdueshme e borxhit sovran të eurozonës do të tejkalohet dhe se një Evropë edhe më e integruar dhe efektive do të rishfaqet.
Mirëpo, për të arritur deri te ajo Evropë e përmirësuar jo vetëm se duhet të zgjidhet kriza e borxhit sovran, por edhe marrëdhëniet me tri shtetet kryesore në lindje të Evropës – Turqi, Rusi dhe Ukrainë – do të duhet të vihen në një bazë më të sigurt. Unë i takoja asaj gjenerate në vendin tim që jetoi nëpërtransicionin nga diktatura në demokraci, katër dekada më parë.
Për ne Bashkimi Evropian ishte një ëndërr. Në të vërtetë, e citonin Ortega y Gasset: “Nëse Spanja është problem, Evropa është zgjidhje”. Unë vazhdoj të besoj, shumë fuqimisht, se Evropa është zgjidhje, pjesërisht për shoqëritë që duhet të thellojnë – nëse jo t’i krijojnë – një traditë demokratike. Marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet Evropës dhe Turqisë, Rusisë e Ukrainës mund t’u sjellin atyre shumë përfitime të njëjta që ne në Spanjë gjithnjë i lidhim me Evropën. Turqia, natyrisht, është ende një kandidate për anëtarësim në BE, por negociatat e saj për hyrje po ecin shumë ngadalë, gjë kjo që nuk është aq e mençur në aspektin strategjik, për shkak se autoriteti i lartë i Turqisë në Lindjen e Mesme ka rëndësi vitale për Evropën (dhe mbase edhe më i rëndësishëm sesa i vetë asaj).
Nga Siria në të gjitha shtetet e tjera të “Pranverës arabe”, ndikimi i Turqisë është më se i madh dhe bashkëpunimi i mëtutjeshëm me BE-në mund vetëm të jetë i dobishëm.
BE-ja ka krijuar një kanal komunikimi me Turqinë për çështjet politike. Por nuk e ka zgjidhur “luftën” e marrëdhënieve. Shpresoj me gjithë zemër që Turqia të bëhet një anëtare e BE-së, për shkak se një shtet që është mysliman, demokratik dhe kryesisht i ri mund të forcojë Unionin në shumë mënyra vitale. Debati rreth anëtarësimit të Turqisë pritet të bëhet më i nxehtë në gjysmën e dytë të këtij viti, kur Qiproja e merr presidencën e radhës të BE-së. Turqia, të jemi të sinqertë, nuk do ta pranojë Qipron e ndarë të të sotmes si përfaqësues të vetëm të atij ishulli. Një tjetër çështje që mund të sjellë komplikime është zbulimi i naftës në afërsi të brigjeve qipriote.
Secili që planifikon të bëjë shpime aty do të përballet me përleshjen e madhe që mund të çojë vendet buzë lufte, me Qipron që pretendon se rezervat shtrihen përbrenda ujërave të saj territoriale dhe Turqinë që kundërshton se Qiproja ka fare ujëra territoriale, për shkak se Qiproja, të paktën për turqit, nuk ekziston.
Rusia është bërë një tjetër lloj i faktorit ndërlikues për Evropën.
Vladimir Putin, i cili tash është kthyer në presidencë, mund të jetë i njëjti person sikurse dikur, por Rusia ka ndryshuar. Vala e fundit e protestave në Moskë dhe përgjatë shtetit ka sfiduar kufijtë e pushtetit të tij. Unë besoj se Putin e kupton këtë, e ky është një fakt i rëndësishëm për diplomacinë e së ardhmes. Gjatë disa ditëve të ardhshme formimi i qeverisë së re të Rusisë do të zbulojë shumëçka rreth marrëdhënieve të pushtetit ndërmjet konservatorëve dhe liberalëve.
Ç’është më e rëndësishmja, miliarda dollarët e pasurive publike janë në rrezik, për shkak të një plani të privatizimit të dizajnuar nga ish-presidenti, Dmitry Medvedev.
Në këtë pikë BE-ja ka një kornizë – Partneritet për Modernizim, të negociuar me Medvedevin – që mund potencialisht të ishte shumë pozitiv. Hyrja e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë më 2011 mund po ashtu të ndihmojë në garantimin që shteti të luajë sipas rregullave ndërkombëtare, siç ka ndodhur me Kinën kur u bashkua në OBT. Besnikëria e Rusisë ndaj kornizës ligjore të OBT-së duhet të nisë t’i bëjë marrëdhëniet ekonomike me të shumë më stabile dhe të parashikueshme. Më herët, pranimi i Rusisë në OBT ishte bllokuar nga Gjeorgjia, e cila hoqi veton e saj vitin e kaluar pas një veprimi të diplomacisë së elegancës, që krijoi një mekanizëm të kontrollimit të kufirit pa i njohur rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë as si pjesë të Gjeorgjisë e as si shtete të pavarura. Kjo zgjidhje, edhe pse e komplikuar, paraqet një rezultat të mirë për rajonin.
Duke e pasur parasysh shkallën e problemeve dhe të mosfunksionimit aktual të Ukrainës, një zgjidhje elegante ndoshta as nuk do të ishte e mundur e as e mjaftueshme. Ukraina, në të cilën kam qenë i përfshirë që nga pavarësimi, ka paraqitur frustrim të madh për mua. Isha i përfshirë në negociatat që ndihmuan në arritjen e një zgjidhjeje paqësore për Revolucionin Portokalli të viteve 2004-2005. Por lufta e brendshme pasuese ndërmjet liderëve të revolucionit, Yulia Tymoshenko dhe Viktor Yanukovych, ishte aq destruktive saqë Viktor Yanukovych, përpjekjet e të cilit për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të 2004-tës e nxitën revolucionin, tani është president ndërsa Tymoschenko është në burg.
Për BE-në, Ukraina vazhdon të jetë një problem serioz. Një marrëveshje gjithëpërfshirës e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit me BE-në mbetet ende e panënshkruar, falë burgosjes së Tymoshenkos dhe të tjerëve. Fatmirësisht, bazuar në interesimin e Unionit për ukrainasit e thjeshtë, ekziston ende shpresë se realiteti do të bindë Janukoviçin dhe elitën sunduese të Ukrainës t’i kthehen shtegut që do të lejonte nënshkrimin e marrëveshjes.
Pushteti i butë i Evropës ka ndryshuar shumë gjëra në shumë shtete gjatë dy dekadave të fundit, duke i nxitur liderët dhe qytetarët që t’i reformojnë ekonomitë e tyre dhe të përqafojnë apo forcojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Mund të vazhdojë ta bëjë këtë gjë në Turqi, në Rusi dhe në Ukrainë, apo nëpërmjet mospërkujdesjes dhe mosveprimit, Evropa mund të humbë besueshmërinë, ndikimin dhe mundësitë ekonomike.
Autori ishte ministër i Jashtëm i Spanjës, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri. Shkrimi është botuar në rrjetin “Project Syndicate”copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/06/havier-solana1.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!