Top “mediat” e Luginës…
Shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me probleme të shumta të natyrës politike, ekonomike, arsimore, kulturore, madje edhe me ato të sferës së informimit - njërës nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Shkruan: Drilon Hyseni
Mediat, ndonëse paraqesin fuqinë e shtatë në botë për nga pesha dhe roli që kanë, ato, mjerisht nëpër disa shtete, keqpërdoren, manipulohen dhe shantazhohen për përfitime politike, ekonomike etj.
Shqiptarët në Serbi, këtë problem e kanë të imponuar nga shteti ku jetojnë.
Beogradi nuk merr obligim ligjor për ta financuar ndonjë medium për shqiptarët, por atyre ua ka lënë të lira duart të vendosin vetë, që këtë problem ta zgjidhin, qoftë përmes pushteteve lokale si themelues të mediumeve, qoftë përmes Këshillit Nacional.
Pavarësisht se këtë terr informativ e mbulon prania e mediumeve elektronike, portaleve dhe atyre të shkruara, ai prapëseprapë mbetet një çështje e lënë pas dore.
Në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk kemi mediume të pavarura. Në kuptimin e thjeshtë të fjalës, kemi mediume të “varura”, qoftë nga pushteti, qoftë nga ndonjë subjekt politik. Kjo gjendje e mjeruar e informimit shqip, në këto komuna, ka prekur në thelb lirinë e medies, e cila është diçka që nuk falet a dhurohet.
Ngufatja e mediumeve në gjuhën shqipe, ka bërë që shprehja e lirë të cungohet, censurohet, madje edhe të dhunohet.
Kujt i bie hise, t’i përcjell mediumet lokale në Luginë të Preshevës, e zënë të vjellat kur sheh çfarë lajmesh servohen për qytetarët, të cilët janë edhe taksapaguesit e tyre.
Kryengjarjet e lajmeve të këtyre mediumeve provinciale janë vetëm paraqitja e kreut të pushtetit, takimet, vizitat, tenderët, solemnitet, etj.
Në këto mediume vështirë ka të botohet diçka, që nuk i shkon për shtati politikës ditore. Ato kontrollohen rreptësisht nga emisarë të caktuar, të cilët me gërshërë në dorë censurojnë gjithçka, që nuk është në frymën pushtetare. Po qe se përvidhet ndonjë shkrim me pseudonim, ai shpejt hiqet nga faqet informative dhe njerëzit e “sigurimit” vihen në gjuetinë e “shtrigave”, për t’i denoncuar dhe hedhur në gjyq.
Ka ndodhur shpesh, gjatë kësaj periudhë, me ndikimin e politikës janë nxënë mediumet e gazetarët mes vete, janë kacafytur e përballur me gjyqe, vetëm e vetëm për ta çuar në vend amanetin e bosëve të tyre.
Ndarja e mediumeve në pozitë dhe opozitë, ka bërë që edhe informimi të jetë joefikas, jo i drejtë dhe jo korrekt. Mediumet, të cilat ia “mbajnë” pushtetit, marrin paga, honorarë dhe projekte të majme, kurse ato opozitare mezi e mbajnë veten, të bllokuara nga financat dhe të përndjekura nga gjykatat komunale, kinse për shkelje të kodit gazetaresk!
Lugina e Preshevës nuk ka ndonjë asociacion, apo shoqatë gazetarësh si në Prishtinë a Tiranë, që do të merrej me trajnimin, profesionalizimin e gazetarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, të cilat jo rrallë shkelen e nëpërkëmben nga punëdhënësit dhe pushteti.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com