Si gur i rëndë, që s`ke ku e lëshon!
Vështrime

Si gur i rëndë, që s`ke ku e lëshon!

06.Jan.2014 16:47
0
Nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, më zëshëm bërtasin ata që askush nuk i dëgjon: të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Dhe zëri i tyre i ngjan vajit të fëmijës, të cilit shumëkush i bëhet baba, por asnjëri nuk merr përsipër ta mbrojë. Shkruan: Kim Mehmeti kim-mehmeti-590x350 Është mundësi e ëndërruar e viteve rinore ajo që të drekoj në Tiranë, darkën ta ha në Prishtinë, e kafenë e pasdarkes ta pi në ndonjë nga kafenetë e Shkupit, por jo në këtë Shkup të sotëm të deshqiptarizuar, në qendrën e të cilit tani më është ngritur një pyll përmendoresh, ku nuk mungon as ajo e Car Dushanit. Dhe këtë ëndërr rinore e jetoj tani, kur shikimi më është dobësuar, kur e ngas makinën me syze, kur gjithnjë e më pak i shoh gropat nëpër rrugët e trojeve shqiptare. Por, me syze apo pa to, ia dal të vërej se të gjitha rrugët shqiptare kanë një të përbashkët: o janë përgjysmë të ndërtuara, o u mungon një shtresë e asfaltit, të cilën ua kanë “ngrënë” pushtetarët, që ndërtojnë rrugë vetëm gjatë fushatave parazgjedhore. Pra qofsh me syze apo pa to, nuk e ke të pamundur të vëresh se për Shqipërinë, viti që lamë pas i ngjan mozaikut shumë shpresash mbarëshqiptar, nga të cilat, ajo më rrezatuesja u realizua: zgjedhje të lira parlamentare, të cilat nuk do t’i kundërshtojë asnjëra palë dhe rotacion i qetë i pushtetit. Tani mbetet të shihet se a do të shkohet më tej, se a do të ndryshojë diçka më shumë se sa vetëm sunduesi, se a do të mbetet Shqipëria shtet i mirë për pushtetarët, apo do të bëhet i përshtatshëm edhe për qytetarët e saj, se a do të bëhet mëmëdhe që nuk do t’i harrojë shqiptarët përtej kufijve të saj. Përndryshe, edhe gjatë vitit që lamë pas, Tirana ishte e zhurmshme, grindavece, e ngulfatur nga debatet publike, ku nuk e kupton se vallë politikanët janë fytyra e vërtetë e debatuesve, apo debatuesit janë maskat ende të paharxhuara të politikanëve. Por, në gjithë atë zhurmë ka diçka të bukur, që nuk e gjen nëpër shoqëritë e tjera shqiptare: pasi analistët e “pavarur” qortohen mes veti, pasi i kërcejnë njëri-tjetrit në gojë thuajse me dëshira që ta ngulfasin kundërshtarin, ata dalin dhe e pinë kafenë e përbashkët, ku mbase ngushëllohen se askush nuk e ka zbërthyer lojën e tyre. Pra ku mbase ngushëllohen se askush nuk e ka kuptuar se edhe tani, njësoj si në kohët e sulltanëve që gratë e veta i mbronin me ndihmën e armatës së eunukëve të oborrit, edhe “bejlerët” e sotëm partiakë mbrohen nga populli me ndihmën e disa të tredhurve mendorë, të cilët debatojnë për çdo natë, edhe atë duke mos e lënë kundërshtarin ta hapë gojën, duke sharë njëri-tjetrin dhe duke mbrojtur “padronin” e vet partiak deri në ofendimin e fundit. E me çka të çojnë të pyesësh vetveten: vallë është e mundur që njerëz të moshuar, njerëz që shtiren se janë të brengosur për fatin e popullit, të mos e kenë kuptuar se dashuria ndaj shtetit e popullit nuk manifestohet me egërsi ndaj të gjithëve që nuk mendojnë si ti, por me urtësi që e detyron edhe kundërshtarin politik të të respektojë e të të dëgjojë vëmendshëm. Ku ta dish, mbase më së miri e shpalosin të vërtetën se profili dominues i politikanëve të sotëm shqiptarë, që më shumë se sa shtetin dhe popullin e vet, e duan pagën e majme mujore dhe pushtetin. Pra, qofsh me syze apo pa to, nuk ke si të mos e shohësh se Kosova e pas vitit 2013, duket si udhëtar i lodhur, i cili bart mbi shpatulla gurin e rëndë, të cilin s’ka ku e shkarkon. E ky gur i rëndë mbi shpinën e Kosovës është po ai i njëjti që peshon mbi të gjitha “Shqipëritë” tona, por ka diçka që atë e bën të duket paksa më i pagdhendur se ai që rëndon Tiranën e Shkupin, e që ka të bëjë me korrupsionin, varfërinë, papunësinë dhe pashpresën rinore. Mbase për shkak të peshës së rëndë të kësaj barre, apo për shkak se është lodhur nga vetvetja, në Kosovë nuk debatohet gjithaq për papunësinë, as për disa “çlirimtarë” që famën e djeshme e përdorin për ta mbuluar “hajnokracinë” e sotme, as për rrogat e majme mujore të deputetëve, që janë aq sa harxhimet mujore të një lagjeje varfanjakësh, as për korrupsionin…, por zhurmshëm, përplot egërsi, me fjalor përjashtues, debatojnë disa “mjekroshë” që thonë se sa më shumë arabizohemi (lexo: deshqiptarizohemi) aq më shumë “islamizohemi, me disa “properëndimorë” që pohojnë se sa më shumë “krishterizohesh” (lexo: deislamizohesh), aq më shumë “europeizohesh”. Nga zhurma e këtyre dy taborëve nuk dëgjohet zëri i atyre (ku bën pjesë edhe autori i këtij teksti) që thonë: Atdheu ynë më i gjerë – Europa, është edhe i atillë siç jemi edhe ne! I atyre që thonë se neve nuk na mungon gjithaq ajo që natyrshëm jemi – “europeizmi”, por duhet sa më shumë të shqiptarizohemi, të arsimohemi, t’u kthehemi vlerave që karakterizonin shqiptarinë: moralit, ndershmërisë, besnikërisë, bujarisë… Pra nuk dëgjohet zëri i atyre që pohojnë se ne edhe s’kemi si ta ndryshojmë Europën nëse ajo mbisundohet nga qarqet që duan BE-në ta shohin si klub të mbyllur, ku mund të hysh vetëm nëse ke kryqin në qafë. Nuk dëgjohet pra zëri i atyre që thonë se ne duhet t’u mbetemi gjithnjë e më besnikë të së vërtetës sonë se, sa më lart fluturon shqiponja dykrenore, aq më vezulluese bëhen të gjitha vlerat tona, përfshi edhe çerekhënën dhe kryqin shqiptar. Nuk dëgjohet zëri i atyre që thonë se ka qarqe europiane që investojnë në konceptin që popujt e vegjël të identifikohen vetëm nëpërmjet përkatësisë religjioze, që ata të mos zhurmojnë edhe etnikisht, që të bëhen të padukshëm në detin e feve të mëdha, në detin ku edhe anijet fetare lundrojnë nën flamujt e popujve dominues mbi këtë rruzull tokësor. Pra, disa qarqe kosovare janë bërë të shurdhër ndaj zërit që thotë se ne shqiptarët kurrë nuk do të mundemi Europës t’i shesim kompjuterë dhe pjesë për anijet kozmike, por gjithmonë do të mundemi asaj t’ia ofrojmë “mallin” e vetëm që e kemi prodhuar në sasi të mëdha gjatë shekujve: vlerat tona kulturore dhe harmoninë ndërfetare! Po, qofsh me shikim të dobët, apo madje edhe i shurdhër, s’ke si të mos e kuptosh se heshtja që i ka kapluar shqiptarët e Maqedonisë nuk ka të bëjë me shurdhërinë tënde, por me të vërtetën se këtu thuajse të gjithë i janë dorëzuar heshtjes dhe pritjes. Këtu heshtin edhe pushtetarët e BDI-së dhe, shtiren thuajse janë pjesë e qeverisë kineze e jo asaj të Maqedonisë, edhe kur në mes të Shkupit, qeveria ku bëjnë pjesë edhe ata, e sjell Car Dushanin. Ata heshtin dhe sillen si të ishin vëzhgues ndërkombëtarë edhe kur huliganët maqedonas i rrahin nxënësit shqiptarë. Pushtetarët e këtushëm shqiptarë flasin vetëm kur duhet t’i shpjegojnë përfitimet që sjell anëtarësimi i vendit në NATO apo BE, por duke mos shpjeguar si do ta shpaguajnë shqiptarët e këtushëm humbjen gjatë viteve që vijnë e shkojnë, gjatë këtyre viteve kur Maqedonia i ngjan lopës që e ushqejnë edhe shqiptarët, por të cilën kryesisht e mjelin vetëm maqedonasit. Dhe posa bëhen të gjallë drejtuesit e partisë shqiptare në pushtet, e fillojnë të shpjegojnë se ata janë të mirë, por nën urdhrin e shokut të keq, fillojnë të flasin edhe ata që kurrë nuk duhet të heshtin, ata që pretendojnë se janë rojtarë të mendimit të lirë e kritik. Pra fillojnë të flasin edhe ata, të cilët mbase edhe është mëkat t’i akuzosh për çkadoqoftë, ngaqë në këtë shtet, punëdhënës i vetëm është qeveria dhe, për dallim nga maqedonasit që kanë vetëm një “drejtori” – partinë maqedonase në pushtet, për punësimin e çdo shqiptari të këtushëm vendos “këshilli” drejtues i përbërë nga sunduesi maqedonas edhe vasali shqiptar. Ku ta dish, mbase prandaj shqiptarët e këtushëm kanë vendosur të jetojnë në heshtje e në pritje, me çka i ngjajnë udhëtarit që bart mbi shpinë gurin e rëndë të bindjes se pala maqedonase nuk vepron ashtu siç vepron vetëm pse ka përballë injorancën politike të drejtuesve të këtushëm partiakë, por edhe pse Tiranë është e zhurmshme e Prishtina e lodhur nga vetvetja. Gjë që e çon të ndihet keq dhe nga pak fajtor edhe atë që publikisht e thyen këtë heshtje, atë që thotë diçka kundër pushtetarëve shqiptarë, të cilët janë aq inferiorë përballë palës maqedonase, sa të duket se Kryeministri i Maqedonisë është kryekomandanti i armatës ruse, e kryesuesit e partive të këtushme shqiptare drejtorë të cirkut, i cili përkohësisht është vendosur në Sheshin e Kuq të Moskës. Nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, më zëshëm bërtasin ata që askush nuk i dëgjon: të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Dhe zëri i tyre i ngjan vajit të fëmijës, të cilit shumëkush i bëhet baba, por asnjëri nuk merr përsipër ta mbrojë. Dhe këta janë shqiptarët që më shumë se të tjetër e ndiejnë ç’do të thotë të jesh pjesë e popullit që mëmëdhe ka Shqipërinë, ku debatohet edhe për “seksin te mizat”, por jo edhe për shqiptarinë e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë dhe, që kanë atdhe Kosovën, ku egërsisht, e deri në fitore të plotë, janë kacafytur disa “mjekroshë” me “fytyrërruarit alla europiançe”, e ku aq rrallë flitet për shqiptarët e mbetur në Serbi, e që nuk kanë gjithaq hallin në cilën xhami do të falen, por si ta mbrojnë shqiptaren në vetvete. Duke qenë të tillë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, më mirë se gjithë të tjerët e kanë kuptuar se ata që kanë qëllime antishqiptare nuk presin nga ne të bëhemi as myslimanë më të civilizuar, as të krishterë më të devotshëm, por sa më pak shqiptarë. Duke e kuptuar këtë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi kanë filluar edhe të mos shprehin pakënaqësi. Mbase për shkak se e kanë kuptuar se pa marrë fund debatet e çoroditura në Prishtinë e Tiranë, ata nuk do të kenë ku ta lëshojnë gurin e rëndë të shqiptarisë që bartin mbi shpinë!
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, shou mediatik, apo …?
Antievropianizmi i elitave politike shqiptare
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration